Një tentativë rrëmbimi, e ngjashme me një film kriminal, ndodhi të martën në mëngjes, më 13 maj, në Paris , ku një bandë burrash të maskuar u përpoqën të rrëmbenin vajzën dhe nipin e bashkëthemeluesit të platformës franceze të kriptomonedhave “Paymium”.
Në fakt, përpjekja për rrëmbim – e cila në fund të fundit nuk pati sukses – u regjistrua në video nga një dëshmitar okular në arondissementin e 11-të të Parisit, në lindje të kryeqytetit francez.
Si ndodhi përpjekja për rrëmbim
Sipas BBC-së, incidenti ndodhi në orën 08:20 (ora lokale), kur tre burra të maskuar dolën shpejt nga një furgon i bardhë dhe u përpoqën të rrëmbenin nënën dhe fëmijën e saj.
Burri i gruas u përpoq t’i mbronte dhe u godit disa herë në kokë. Çifti bërtiti për ndihmë ndërsa burrat e maskuar u përpoqën t’i tërhiqnin larg.
Në një moment, gruaja arriti të rrëmbente armën e një sulmuesi dhe ta hidhte tutje, e cila më vonë rezultoi të ishte një replikë.
Rruga ishte relativisht e ngarkuar në atë kohë dhe një grup fëmijësh po shkonin në një shkollë fillore lokale. Fillimisht, kalimtarët ngurruan të përfshiheshin, por disa sekonda më vonë filluan të ndërhynin, duke e bërë bandën të ikte.
Në fund, familja u dërgua në spital me lëndime të lehta.
Incidenti tronditës po hetohet nga autoritetet franceze.
Përpjekja e dështuar për rrëmbim në Rue de Passe ndodhi pak më shumë se një javë pasi policia franceze shpëtoi babanë e një milioneri të kriptomonedhave, i cili ishte rrëmbyer në një zonë tjetër të Parisit, ndërsa shëtiste qenin e tij. Ai u lirua tre ditë më vonë, pasi pengmarrësit e tij i kishin prerë një gisht./ kohajuaj