Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Mësohet se Sherif Veseli ka dhunuar gruan dhe e ka kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri. Në moment ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar 65-vjeçarin dhe i ka sekuestruar një mjet prerës thikë, një armë zjarri kallashnikov, 4 krëhra dhe municion luftarak

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.

Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1  parandalohet një ngjarje kriminale në një familje.

Kapet dhe arrestohet në flagrancë një 65-vjeçar që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanoste atë se do ta vriste.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tomi Kristo”, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe po e kanoste atë se do ta vriste, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta është bërë neutralizimi i shtetasit 65 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë  për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 130/a dhe 278 të Kodit Penal.

Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Tomi Kristo”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij si dhe e ka kanosur atë.

Gjatë kontrollit të banesës së 65-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës thikë, një armë zjarri kallashnikov, 4 krëhra dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.