Sirenat e alarmit po dëgjohen në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Kështu e nis shkrimin media Politiko në versionin europian, duke raportuar për dorën e zgjatur të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet për destabilizim, të cilat i pa ministri i jashtëm britanik gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd. Me vëmendjen e Europës të fokusuar në Ukrainë, tensionet në rajonin tonë janë rritur, teksa politikanët e zonës dhe ata të Britanisë shohin me shqetësim faktin se Vladimir Putin do ta përdorë këtë moment për të thurur plane trazirash në vendet e ish-Jugosllavisë, nënvizon Politico.
“Në këto kohë, me luftën në Europë dhe duke parë dorën e zgjatur të ndërhyrjes ruse gjithashtu në rajon, do të ishe budalla nëse do të hiqje syrin nga Ballkani Perëndimor, ku ka ende çështje të së shkuarës që ende nuk janë kapërcyer. Interesat e Putinit këtu janë të mbajë rajonin të destabilizuar. Është në interesin e tij që të mbajë buzë greminës vendet që përbëjnë Ballkanin Perëndimor, të ketë një popullsi të destabilizuar dhe të zhvillojë një luftë kibernetike dhe hibride”, tha David Lammy, sekretar i Jashtëm i Britanisë.
Politico sjell në vëmendje problemet në Bosnje me idetë separatist të Millorad Dodikut dhe akuzën e Kosovës ndaj Serbisë për sulme në territorin e saj, gjithashtu edhe të Beogradit për dhunë ndaj pakicave serbe. Për këto probleme, ekspertët shprehin frikën e tyre se Rusia po përpiqet që t’i shfrytëzojë për të krijuar probleme në kopshtin e Europës. “Tani për tani ata duhet t’i zgjidhin këto probleme ose do të vazhdojnë të jenë sheshi i lojërave të Rusisë”, tha një zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar për Politico, duke shtuar se tani është momenti për të shfrytëzuar dritaren shumë të vogël për pranim e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.