Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u takua me liderin turk Rexhep Tajip Erdogan. Temë diskutimi ishte lufta kundër Rusisë, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe siguria e eksporteve ushqimore ukrainase. Gjithashtu Zelenskyy i kërkoi homologut turk, të balancojë marrëdhëniet e tij të ngushta mes Kievit dhe Moskës.

Ukraina i ka bërë shpesh herë presion aleatëve për më shumë municione dhe armatime për të frenuar avancimin e trupave ruse në pjesën perëndimore të rajonit të Donetsk dhe për të mos depërtuar në rajonin e Kharkiv në veri të tij. Nga ana e tij, Erdogan tha se Turqia ishte e gatshme të kontribuonte për negociatat e paqes midis delegacioneve të Kievit dhe Moskës.

“Ne jemi gati të mbajmë një samit në të cilin mund të marrë pjesë edhe Rusia. Ankaraja është e gatshme të mbështesë një ringjallje të marrëveshjes që do të lejonte eksportin e grurit nga Ukraina”, u shpreh ai.

Në konferencë, Zelenskyy përsëriti mirënjohjen ndaj Turqisë për mbështetjen e saj për Ukrainën, por shtoi se nuk mund të ketë samit me palën ruse, e cila sipas tij, është vend pushtues. Përpara konferencës, Volodymyr Zelenskiy inspektoi dy anije luftarake të ndërtuara për forcat detare ukrainase. Dy anijet luftarake, po ndërtohen në partneritet me Turqinë. Vizita e Zelenskyy-t në Stamboll vjen përpara vizitës së pritshme të presidentit rus Vladimir Putin në Turqi, për të cilën Kremlini ka thënë se do të realizohet pas zgjedhjeve ruse më 15-17 mars.

Gjatë gjithë luftës dyvjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë, Turqia, një anëtare e NATO-s, ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira diplomatike me të dy vendet dhe pritet të nxisë negociatat e paqes midis dy armiqve.