Papa Leo XIV bëri thirrje për lirimin e gazetarëve që janë burgosur “sepse kërkuan dhe thanë të vërtetën”, të cilëve u shprehu “solidaritetin e Kishës” sot gjatë një takimi me përfaqësuesit e medias.

“Kisha njeh në këta dëshmitarë – po mendoj për ata që rrëfejnë luftën edhe duke rrezikuar jetën e tyre – guximin e atyre që mbrojnë dinjitetin, drejtësinë dhe të drejtën e popujve për t’u informuar”, theksoi Papa, duke vlerësuar se “vetëm popujt që janë të informuar mund të bëjnë zgjedhje të lira”.

Kreu i Kishës Katolike deklaroi se “vuajtjet e këtyre gazetarëve të burgosur rëndojnë mbi ndërgjegjen e kombeve dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe na bën thirrje të gjithëve të mbrojmë të mirën e çmuar të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”.

“Ju jeni në vijën e parë për të rrëfyer konfliktet dhe shpresat për paqe, situatat e padrejtësisë dhe varfërisë, si dhe punën e heshtur të shumë njerëzve për një botë më të mirë. “Kjo është arsyeja pse ju kërkoj që me vetëdije dhe guxim të zgjidhni rrugën e komunikimit paqësor”, tha papa 69-vjeçar, i cili u zgjodh të enjten, pas dy ditësh konklavi.

Robert Francis Prevost kishte drejtuar dje, të dielën, një thirrje për paqe për “të mëdhenjtë e kësaj bote”, gjatë lutjes së tij të parë të së dielës nga ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit.

Duke nënvizuar “sfidat” që ekzistojnë për të “lundruar dhe rrëfyer” kohërat “e vështira”, ai kërkoi që ne “të mos i nënshtrohemi kurrë mediokritetit”.

Udhëheqësi shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve deklaroi gjithashtu se “një nga sfidat më të rëndësishme është promovimi i një komunikimi të aftë të na nxjerrë nga ‘Kulla e Babelit’ në të cilën ndonjëherë e gjejmë veten”.

Ai theksoi gjithashtu sfidën e “inteligjencës artificiale”, një temë që ai e kishte ngritur të shtunën para kardinalëve dhe e cila, sipas tij, kërkon “përgjegjësi dhe largpamësi”.

“Komunikimi i zhurmshëm dhe dinamik nuk është i nevojshëm”, shtoi ai, dhe bëri thirrje që përparësi t’i jepet “më tepër” “komunikimit të aftë për të dëgjuar, për të mbledhur zërat e të dobëtve që nuk kanë zë”./