Eksperti i ekonomisë, Pano Soko në një intervistë për “Panorama TV” tha se nëse Shqipëria del nga Gjykata e Arbitrazhit, ashtu sic ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama, pasojat do të jenë të jashtëzakonshme.

Ai u shpreh se kryeministri Rama po bën propagandë, duke tentuar t’i mbyllë sytë shqiptarëve në prag të zgjedhjeve.

“Që Beccheti nuk do merrte asnjë cent këtë nuk e besonte askush. Që në 2019 kur doli vendimi i shkallës së parë, të gjithë e dinë që ai vendim do ishte i njëjtë deri në rekursin që do bëhej në gjykatën e lartë.

Shuma finale nuk është 108 mln, ne kemi paguar avokatët tanë, do paguajmë avokatët e Becchetit, duhet të paguajmë edhe gjyqtarët kemi edhe interesat. Në total e çojnë 130 mln euro faturën nëse i paguajnë sot, por shuma edhe mund të rritet”, tha ndër të tjera Pano Soko.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Nëse vendi ynë del nga juridiksioni i Arbitrazhit çfarë ndodh me çështjet e tjera?

Pano Soko: Të gjitha çështjet do të shqyrtohen, pavarësisht se çfarë vendimi merr qeveria shqiptare, sepse në kohën kur ka ndodhur konflikti Shqipëria ka qenë pjesë. Dalja sot nga Gjykata e Arbitrazhit nuk na zgjidh për këto çështje që kemi. Mund të zgjidhje për çështje në të ardhmen.

Shqipëria nuk i ka këllqet për të dalë nga Gjykata e Arbitrazhit.  Në sytë e investitorëve mendoni si dukesh. Çfarë mesazhi po i japim. Po erdhët këtu ne ju marrim lekët dhe ju nuk keni ku të ankoheni. Efekti kryesor me këtë mesazh është që ata të tërhiqen që të gjithë. Pra këtu nuk të ofrohet mekanizimi i garancisë, që ofrohet nga vendet perëndimore. Përsa kohë do investitorë të huaj duhet të jesh pjesë e këtyre organizmave. Vetëm në kohën e komunizmit tërhiqeshim nga këto organizma, i konsideronim imperialiste. Dëmi nëse largohemi është i jashtëzakonshëm.  E para na rrit koston e borxhit, e dyta nuk do kemi investime të huaja.

Pyetje: Sa serioz do bëhet vendi ynë në sytë e BE, kur nuk respektojmë ligjet dhe gjykatat e tyre?

Pano Soko: Ajo do të ketë efekte në të gjitha strukturat ndërkombëtare që Shqipëria aderon, jo vetëm në BE ku kërkon të bëhet pjesë. BE kërkon që investitorët e tij në Shqipëri të jenë të sigurt. Të jetë i sigurt se në rast se i bie në qafë pa të drejtë të marrë paratë. Unë them se nëse i merr koka erë kryeministrit dhe të ndodhë kjo manovra legjislativi është kryeministri që të ikë, pse duhet të ikë Shqipëria nga Gjykata e Arbitrazhit. Pse duhet të kthehemi ne në 1991. I bie ikim nga kjo, ikim nga ajo, lemë negociatat në mes dhe pastaj të shkojmë te traktati i Varshavës dhe shkojmë me Rusinë.