Në Shqipëri duket se fiton ende inercia e pushtetit dhe kujtesa e përfitimeve të ngushta gjatë mandateve të kryeministrave të dy partive të mëdha…
Nga Ben ANDONI –
Si shpjegohet vallë, që sot kemi shumë më tepër të arsimuar dhe shkolla me renome ndërkombëtare, ndjekur nga shqiptarët kryesisht të shoqërisë së mesme dhe kemi shumë më tepër padijë, kryesisht lidhur me perceptimin për politikën? Të jetë vallë fenomen shqiptar?
Çdokujt i ka ndodhur prej nesh të kërkojë punë apo të përballet me kërkesën për paraqitjen e CV-së para zyrtarëve të rinj, veshur jashtëzakonisht mirë, që të përmendin bachelor-ët e tyre të shtrenjtë, master-at e kushtueshëm në shkolla të njohura dhe gjuhët (O zot sa shumë gjuhë ‘dinë’ në administratat shqiptare-veçse kuptohet me gishtat e njërës dorë anglishte Oxford-i).
Dilema është e madhe, kur përballemi me përditmërinë e vështirë dhe shpesh të pashpresë: Po cilët e drejtojnë atëherë vendin tonë? Për fat të keq, një masë e madhe e të paditurve (eufemizëm për injorant) ose gjysmë e ditur (edhe më e frikshme) vendos në masë për ndryshimet politike në vend në momentet e fundit. Kjo është arsyeja pse politikanët janë aq të vëmendshëm për publikun e zakonshëm vetëm kur afrohet koha e zgjedhjeve për të bërë qasjen e radhës. Skenari dihet: Nisin t’i shfaqin publikut të di atë që ata duan dhe që në fakt rëndom rezulton se është e pamundur.
Nëse do të ndjekësh logjikën e taksimit në vend, atëherë humbet në arsyetime, të cilat edhe vetë njerëzit që hartojnë programet politike, nuk dinë t’i shpjegojnë. I ndodhi kjo për fat të keq PD-së në fushatën e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme, që edhe me një program të asistuar mirë, nuk ia doli t’u shpjegonte njerëzve të saj ndryshimet; i ndodh PS-së, që po fiton ende nga një inerci pushteti dhe propagande, që shpesh e çon në arrogancë mirëfilli. “Qeveria dhe përkrahësit e saj, për të mos ulur TVSH-në, argumentojnë se mbështetja e buxhetit të shtetit në tatimet e konsumit, të cilat shihen si regresive, sugjeron një ndikim të kufizuar ose negativ në rishpërndarjen e të ardhurave nëpërmjet sistemit tatimor.
Në fakt, sipas përkrahësve për ta ulur TVSH-në theksohet se tatimet e konsumit i prekin familjet e varfra ndryshe nga ato të pasura. Taksat e konsumit mbi disa mallra të përditshme, p.sh. karburantet, ushqimet e përditshme u pamundëson familjeve të varfra të marrin sasinë e produktit të nevojshëm për to për shkak të burimeve financiare të kufizuara…”, është një nga argumentet që citohet nga Altax.al. A mund t’i kuptojnë vallë njerëzit këto ndërlikime logjike?!
Atëherë çfarë i pengon njerëzit, që hasen përditshmërisht me këto realitete të bëjnë zgjedhjet e duhura?! Në Shqipëri duket se fiton ende inercia e pushtetit dhe kujtesa e përfitimeve të ngushta gjatë mandateve të kryeministrave të dy partive të mëdha. “Foreign Policy”, në një artikull të disa viteve më parë, shkruar nga Jason Brennan, nisej nga analiza për këtë fakt dhe shkruante se: “Trump ua detyron fitoren njerëzve të paformuar. Por jo vetëm kaq.
Politologët që kanë studiuar prej 65 vitesh sjelljet e votuesve kanë parë rezultate të frikshme. Votuesit dinë së kush kandidon për president, por nuk ia kanë haberin se çfarë ndodh në Senat apo Dhomën e Përfaqësuesve. Edhe në përballjen mes Al Gore dhe George Bush, njerëzit dinin që Gore ishte më liberal se Bush, veçse asgjë më tepër. As programet e tyre politike dhe ekonomike, asgjë prej gjëje. Nuk është se votuesit janë thjesht budallenj. Jo, demokracia po krijon stimuj të këqij”.
A është ky rasti i Shqipërisë dhe a mban erë demokracia jonë? Pas vitit 2008, votuesi shqiptar është i detyruar ta japë votën ose për PD-në ose për PS-në. Ai që e kupton thellësisht retorikën e sotme të Berishës për armikun e shqiptarëve Rama dhe këtij të fundit për të keqen e madhe non-grata Sali, e di se në letrën e votimit, mbushur me malin me emra, sigla dhe simbole, në fund do filtrohen vetëm kandidatët e njërit apo tjetrit nga PS dhe PD.
Nëse ky po rezulton një paradoks i madh, atëherë pse tandemi i lodhshëm Rama-Berisha nuk tregon vullnet ta prishë Marrëveshjen “2008”, në mënyrë që demokracia të ketë qasje tjetër me më shumë forca, përmes një pragu tjetër zgjedhor. Kur hapet ky diskutim, specialistë të dy forcave bashkohen dhe të argumentojnë qartazi e hapur se antropologjia politike shqiptare e kërkon këtë lloj sistemi. E pastaj ta përveshin para syve: kështu funksionon demokracia. Sërish i drejtohemi shkrimit të mësipërm: “Shumica e votuesve janë injorantë ose të painformuar pasi kostoja e tyre për të marrë informacione politike i tejkalon përfitimet e mundshme.
Ata mund të pranojnë mashtrime ose të vërtetë false, pasi u kushton më pak. Shumica e njerëzve dinë pak, ndërsa ka të tjerë që dinë edhe më pak se këta. Në përgjithësi, njerëzit e edukuar janë më shumë të informuar se sa ata që s’kanë mbaruar universitet dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për politikën por për gjithçka tjetër. Kur njerëzit normalë dëgjojnë statistika dëshpëruese, ata normalisht do të drejtojnë gishtin nga sistemi edukues”(Ibid). Po, a është vetëm problemi i arsimit dhe udha që mori demokracia në këto 33 vjet me Reformat gjysmake të Arsimit? Pse ia marrin votën kaq lehtë qytetarit të thjeshtë?! Sa shumë fjalë, por që të gjithë e dimë se kur parashtrohen platformat politike të PS-së dhe PD-së, ato më shumë godasin, ata që i kuptojnë më pak.
Me sa duket, përgjigjja e hidhur është jo më padija, por injoranca e thellë. Fakti: Votuesi i thjeshtë manipulohet kaq lehtë, edhe pse ka informacion shumë më të madh për politikën. Kjo do ta bënte OSBE/ODHIR-in në zgjedhjet e fundit, që në një nga rekomandimet kryesore tek ne, të theksonte se do të ishte mirë të punohet për edukimit e votuesit shqiptar. Një eufemizëm mirëfilli për të thënë që të mos e shiste votën, por edhe një kritikë për padijen e vet, që të mos prishte me zgjedhjet sipërfaqësore jetën e pjesës tjetër. E theksojmë pjesën tjetër pasi zakonisht një pjesë e popullsisë duket se nuk i bën më përshtypje zgjedhja në vend dhe mënyra sesi e delegojnë votën.
Shkencëtarët politikë Christopher Achen dhe Larry Bartels japin një lloj ideje kritike që e përcaktojnë deri-diku në mënyrë sfiduese si “teoria popullore” e demokracisë. Hulumtimi i tyre në SHBA-të tregoi se: sjellja e votuesve përcaktohet kryesisht nga identitetet partiake që votuesit supozojnë, bazuar në faktorë të ndryshëm socio-kulturorë, veçanërisht raca, besimi dhe grupet e bashkëmoshatarëve. Më qartë, “preferencat e politikave të votuesve formësohen nga identiteti i tyre partiak dhe jo nga mendimi i pavarur për ndonjë çështje të veçantë.
Ata gjithashtu zbulojnë se shumica e votuesve janë shumë injorantë ndaj aktorëve dhe politikave politike për të lidhur me saktësi zgjedhjet specifike të politikave me parti apo kandidatë të caktuar. Besnikëria partiake është relativisht e fiksuar, por votuesit janë jashtëzakonisht të paqëndrueshëm për çështje specifike”, referon Thomas Carothers tek artikulli i tij, “Is Democracy the Problem?”, mbështetur tek ata. Puna e Achen dhe Bartels mëton të thotë se SHBAtë kanë tendencë të bien në skajin më të ulët të demokracive të vendeve të pasura, e kur bëhet fjalë për arsimimin qytetar dhe injorancën e votuesve, ato tregojnë se nivele të konsiderueshme të injorancës së votuesve janë një realitet në shumicën e demokracive.
Me fjalë të tjera: mangësitë e votimit qoftë për efekt të llogaridhënies së qeverisjes janë një çështje e projektimit, me të cilën përballen të gjitha demokracitë. Mbase është e tepruar, por koha jonë ka shumë ndikim nga socializmi, por tashmë me ambalazh krejt të ri. Nuk është se tashmë mbizotëron krejt retorika propagandistike e PPSH-së, por një pjesë bajagi e madhe e politikës e lëbyr mendjen e të zakonshmit pothuaj njësoj: për atdheun, zotin(!), pasurimin dhe drejtësinë. Zërat, që mundohen të hedhin dritë për programet, shpesh humbasin nga ofendimet dhe bullizmi i turmës, që nanuritët në mashtrim dhe kështu vazhdon manipulimi primitiv i elektoratit, në mënyrë të mbetet e njëjta status quo.
Vox pop-et e pak ditëve më parë e tregonin këtë te njerëzit e mbledhur te demonstrimi i Berishës, ashtu si shumë herë këtë gazetarët e kuptojnë nga njerëzit që mblidhen për Ramën, ku ky i fundit në një rast në rolin e profetit, u jepte verdiktin e zgjedhjeve ‘25, në vend t’u shpjegonte dëgjuesve fshatarë Shqipërinë e tij të dekadës së tretë të shekullit XXI. Në këtë hapësirë kohe, ish-Presidenti Meta gati në gjendje jermi jepte versionin e tij të demokracisë, kurse një aradhë e tërë propagandistësh kuq-e-blu shpjegonin se Shqipëria që dilte nga goja e këtyre njerëzve ishte ajo e vërteta, bash ajo që këta e kanë të ravijëzuar në kokat e tyre, por në fund strategjitë e mëdha i dinë vetëm partitë, ato që mendojnë vetëm për ata.
Ndërkohë, elementët e ndryshëm arkaikë të komunikimit, që ua kanë shpëlare trutë shumë njerëzve, që e shohin politikën jo si mjetin për të ndryshuar jetët e tyre, por si një sport kombëtar, ku bëhet tifozllëk për politikanë shpesh të rrejshëm, ende dominojnë në demokracinë tonë. Këngë trimash dhe apoteoza viganësh!!! Dhe, në fund nëse ky mendim i Benjamin Franklinit bën sens në këtë artikull se: “Demokracia dhe plus injoranca e popullit, është rruga më e shkurtër drejtë despotizmit nëpërmjet demagogjisë”, atëherë ky është një nga paradokset tona sot, që e shijojmë demokracinë si justifikim të mbijetesës së një kaste politike arrogante, e cila sigurohet dhe mbijeton nga injoranca e vetë turmës votuese, ku të gjithë e kemi më shumë e më pak një kontribut.