Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se ka marrë vendimin për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës, me operacione ushtarake edhe në zonat ku mbahen pengje, sipas një burimi në zyrën e kryeministrit, siç raportohet nga The Jerusalem Post.
Sipas të njëjtit burim, zyra e kryeministrit i dërgoi një mesazh të ashpër kreut të Forcave të Armatosura Izraelite: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë jepni dorëheqjen”.
“Ne duhet të vazhdojmë të bashkuar, të luftojmë të bashkuar, për të arritur të gjitha qëllimet tona: mposhtjen e armikut, lirimin e pengjeve tona dhe sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, tha më parë Netanyahu.
Kryeministri izraelit pritet të mbledhë kabinetin e tij të martën për të marrë vendime kritike.
Siç raportohet nga mediat izraelite, Netanyahu u tha ministrave të tij se do të mblidhte menjëherë kabinetin e sigurisë dhe do të kërkonte mbështetjen e tij për një plan për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës, pavarësisht kundërshtimeve brenda Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Një zyrtar i lartë pranë kryeministrit tha: “Zari është hedhur — ne do të vazhdojmë me një pushtim të plotë të Rripit të Gazës.” “Operacionet do të kryhen edhe në zonat ku mbahen pengje. Nëse shefi i IDF-së nuk është dakord, ai duhet të japë dorëheqjen”, shtoi ai.
IDF aktualisht kontrollon rreth 75 përqind të Rripit të Gazës, por sipas planit të ri, ushtria pritet të pushtojë pjesën tjetër të territorit – duke e vënë të gjithë enklavën nën kontrollin izraelit. Nuk është e qartë se çfarë do të thoshte një veprim i tillë për miliona civilë dhe organizata humanitare që veprojnë në Rrip.
Reagimi i forcave të armatosura izraelite
Gazeta “Jerusalem Post”, duke cituar një burim të paidentifikuar në zyrën e Kryeministrit Netanyahu, raportoi se kreu i qeverisë ka “marrë vendimin për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës” dhe “për të kryer operacione në zonat ku mbahen pengje”. Kanali 12 raportoi informacione të ngjashme, duke cituar gjithashtu një burim anonim.
Sipas të njëjtit burim, zyra e kryeministrit i dërgoi një mesazh të ashpër kreut të Forcave të Armatosura Izraelite: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë jepni dorëheqjen”.
Disa zyrtarë kanë sugjeruar që Izraeli mund të aneksojë pjesë të Gazës si një mjet për të ushtruar presion mbi Hamasin. Të tjerë, si Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, po bëjnë thirrje për vendosjen e sundimit ushtarak në zonë si një prelud për aneksimin dhe zhvendosjen e kolonëve hebrenj që u dëbuan 20 vjet më parë.
Ushtria izraelite, e cila ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj ndaj skenarëve të tillë gjatë gjithë luftës, pritej të paraqiste plane alternative të martën, duke përfshirë zgjerimin e operacioneve në zonat e Gazës ku ende nuk ka vepruar, sipas dy zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në të njëjtën kohë, zyrtarë të lartë ushtarakë po shprehin shqetësime serioze se një operacion i tillë do të rrezikonte afërsisht 20 pengjet që janë ende gjallë.
Radioja Ushtarake e Izraelit raportoi të hënën se Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Eyal Zamir, duket gjithnjë e më i frustruar nga mungesa e “qartësisë strategjike” nga ana e udhëheqjes politike, nga frika e përfshirjes në një luftë shkatërruese me Hamasin.
“Ne kemi mënyra të ndryshme për të luftuar organizatën terroriste – dhe kjo është pikërisht ajo që po bën ushtria”, tha nënkoloneli Natav Shoshani./kohajuaj