Presidenti i Ukrainës dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres bënë thirrje të mërkurën për zgjatjen e marrëveshjes me Moskën, e cila lejon Kievin të eksportojë drithëra përmes porteve të Detit të Zi gjatë pushtimit rus.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha pas bisedimeve me Guterres në Kiev se marrëveshja e drithërave të Detit të Zi ishte e nevojshme për botën dhe shefi i OKB-së nënvizoi rëndësinë e saj për sigurinë globale të ushqimit dhe çmimet e ushqimit në përgjithësi.
Marrëveshja 120-ditore, e ndërmjetësuar fillimisht nga OKB-ja dhe Turqia në korrikun e vitit të kaluar dhe e zgjatur në nëntor, do të rinovohet më 18 mars nëse asnjë palë nuk kundërshton.
“Dua të nënvizoj rëndësinë kritike të kalimit të Iniciativës së Detit të Zi më 18 mars dhe të punës për të krijuar kushtet për të mundësuar përdorimin sa më të madh të infrastrukturës së eksportit përmes Detit të Zi në përputhje me objektivat e nismës”, tha Guterres në një konferencë për media.
Ukraina dhe Rusia janë të dyja furnizuesit kryesorë globalë të drithërave dhe plehrave.
Fuqitë perëndimore e kanë goditur Rusinë me sanksione të ashpra për pushtimin e saj në Ukrainën fqinje më shumë se një vit më parë.
Ndërsa eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave nuk i nënshtrohen sanksioneve, Moska thotë se kufizimet në pagesat e saj, industritë e logjistikës janë një “pengesë” për dërgesa të tilla./REL