Mediat greke kanë publikuar detaje nga vrasja në Mykonos e 34-vjeçarit shqiptar Visar Dakramaj i njohur edhe si Julian Kosova. Krimi ndodhi mëngjesin e të hënës në ambientet e jashtme të një lokali nate.
Konflikti mes 34-vjeçarit dhe shtetasit grek Athanasios Nazos nisi në lokal dhe më pas ky i fundit shkoi në banesë për të marrë armën e gjahut duke ekzekutuar shqiptarin.
Mediat greke shkruajnë se autori, është një biznesmen i njohur Mykonos, i cili është aktiv në sektorin e turizmit dhe madje është i afërm i një të zgjedhuri të bashkisë së Mykonos.
Fillimisht u aludua nga mediat greke për një krim pasioni ku një vajzë, e cila kishte qenë më parë e dashura e shqiptarit, u bë molla e sherrit mes dy të rinjve.
Por miqtë e autorit të krimit thonë se 33-vjeçari grek nuk ka pasur lidhje intime me vajzën në fjalë.
“Vajza, për të cilën ka pasur një keqkuptim, nuk ka marrëdhënie romantike me Thanasis”, thotë një mik i ngushtë i autorit.
“Burri tjetër e ofendoi këtë grua dhe më pas të dy përfunduan duke u grindur. Në mjegullën e pijes gjërat morën një kthesë të pakëndshme” shtoi miku i autorit të krimit.