Një gjest prekës i shqiptarit Ledian Goga, që u hodh në lumin Arahthos për të shpëtuar dy djemtë e mitur, të moshës 12 dhe 14 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht të mërkurën e kaluar pasi pësuan vdekje klinike, po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave në Greqi.
I pikëlluar thellë, por i vendosur të mbajë të gjallë kujtimin e tyre, Lediani e mbajti premtimin e dhënë pak ditë pas tragjedisë dhe bëri tatuazh portretet dhe emrat e Nisit dhe Spiros, dy fëmijëve që nuk arriti t’i shpëtonte dot, pavarësisht përpjekjeve.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në TikTok, ai tregon tatuazhin e përfunduar, ku ai vetë është paraqitur me krahë engjëlli, duke mbajtur në krahë dy djemtë, që gjithashtu kanë krahë engjëlli. Poshtë secilit fëmijë shkruhen emrat e tyre, Nisi dhe S[iros
Lediani u bë simbol i kurajos dhe sakrificës në opinionin publik grek, dhe së fundmi është njoftuar se do të marrë nënshtetësinë greke.
Ai tregoi se ministri i ka telefonuar personalisht për t’i uruar, për ta ftuar në zyrë dhe për t’i dhënë nënshtetësinë, por vetë ai thekson me përulësi se nuk e ndërmorri veprimin për këtë arsye.
“Më thanë që më dhanë nënshtetësinë greke. Më mori dje zoti ministër në telefon: ‘Të pres në zyrë, të të përqafoj, të pimë një kafe dhe të të jap nënshtetësinë’, më tha. Por unë nuk e bëra për nënshtetësinë. Jam në Greqi 20 vjet, me letra e pa letra. Erdha 17 vjeç, tani jam 41. Greqia është vendi im i dytë, e dua shumë. Nuk kam shkuar as në Itali, asgjë. Kam jetuar këtu gjithë jetën, vitet më të mira të jetës”, tha ai për mediat greke.
Ledian Geoga tha se në momentin që pa fëmijët në rrezik, nuk mendoi asgjë tjetër përveç se ta shpëtonte sa më shpejt djalin që ishte në ujë.
“E mendova si të ishte fëmija im. Desha ta nxirrja sa më shpejt që të mundja. Faleminderit të gjithëve, më ka marrë në telefon gjithë Greqia, ministra, njerëz të panjohur. Kush ka parë numrin tim, më ka telefonuar”, tha ai.
Dy djemtë e mitur, njëri prej tyre shqiptar, fatkeqësisht nuk arritën të shpëtojnë dhe pësuan vdekje klinike. Prindërit e tyre më pas vendosën të dhurojnë organet e djemve për personat që kishin nevojë dhe rrezikonin jetën.