Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula theksoi se ai dhe deputetët që mbështesin Gazment Bardhin nuk sulmojnë organet e drejtësisë teksa po komentonte rastin e hetimit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Ai deklaron se është kundër sulmeve ndaj SPAK dhe se Partia Demokratike nuk duhet të përfshihet në këtë debat.
“Unë vazhdoj t’i mbështes organet e drejtësisë dhe nuk jam dakord me asnjë lloj emërtimi edhe në kohën kur Rama në Asamblenë e PS-së sulmoi SPAK-un. Jam kundra çdo lloj epiteti, çdo lloj gjuhe. Unë nuk do të jem mburojë e asnjë politikani në asnjë lloj rasti.
Nëse e fusim në kanalet politike, humbet sensi dhe e drejta. Mund të ketë persona të caktuar që kanë interesa të sulmojnë ndonjë politikan apo një tjetër. Kjo nuk do të thotë që e gjithë forca politike të përfshihet në këtë debat dhe në këtë luftë. Qëndrimi i Zt. Bardhi dhe i joni është që nuk i bëhemi mburojë asnjë personi.
Nëse nesër fillon një hetim për një politikan të opozitës që mund të ketë shkelur ligjin, atëherë nuk preket asnjëherë opozita dhe kështu që i bie që edhe pozita e sotme kur të jetë nesër në opozitë të mos preket”, tha Sula në News24.
Pyetjes së bërë nëse duhet ta përfshijë Partinë Demokratike, deputeti Sula ishte i qartë: Jo!