Mediat britanike kanë publikuar një artikull sipas të cilit një operacion sekret për ndalimin e bosëve kriminelë shqiptarë që veprojnë në Britani i koduar “Crime State Nexus” ka nisur prej disa kohësh nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Projekti i nisur nga zyrtarë në Ministrinë e Jashtme dhe të Brendshme ka si synim për të ekspozuar dhe vënë në shënjestër politikanët e korruptuar në Ballkan të lidhur me krimin e organizuar.
Detajet e operacionit u zbuluan në dokumentet gjyqësore të qeverisë, në lidhje me një betejë ligjore mbi vendim për të ndaluar hyrjen në Britani të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Bandat shqiptare u përshkruan në dokumentet ligjore si një ‘kërcënim akut’ për Britaninë pasi janë ‘shumë të përhapura në krimin e organizuar nëpërmjet përfshirjes së tyre në tregtinë e kokainës, kontrabandës së njerëzve dhe prostitucionit”.
Gazetat citojnë gjithashtu se të dhënat tregojnë se shqiptarët janë kombësia më e madhe e huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Britania e Madhe i ndaloi hyrjen në vend të ish-presidentit shqiptar Sali Berisha në korrik të vitit 2022, vendim të cilin ai e apeloi në Komisionin Special të Apelit të Emigracionit në Londër. Komisioni do të shprehet për këtë çështje muajin e ardhshëm.
Dokumentet në lidhje me ankesën pretendojnë se lidhjet midis politikës dhe krimit në Shqipëri krijojnë një mjedis lejues në të cilin kriminelët dhe bandat e krimit të organizuar mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar.
Gazetat britanike thonë gjithashtu se mbrojtja politike u jep bandave më shumë mundësi për të pastruar paratë dhe do të thotë që Shqipëria mund të përdoret si një strehë e sigurt nga e cila mund të operojnë.
Projekti Crime State Nexus përpiqet të marrë masa kundër personave të ekspozuar politikisht në Shqipëri, që mund të përfshijë ndalimin e tyre nga Britania. Prandaj, qëllimi themelor është prishja e lidhjeve ndërmjet politikës, biznesit dhe aktivitetit të paligjshëm.