San Francisko, SHBA – Aktivistët e njohur në Shqipëri, Besjana Guri dhe Olsi Nika nga organizata Eco Albania, janë shpallur fitues të çmimit prestigjoz “The Goldman prize”, për betejën e tyre mbi 10 vjeçare në mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve, deri në shpalljen e tij nga qeveria shqiptare si Park Kombëtar i një Lumi të Egër, në mars të vitit 2023. Ky vendim historik siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit Vjosa, i cili rrjedh i lirë përmes Shqipërisë, si dhe të degëve të tij, duke përfshirë gjithsej 400 kilometra të korridoreve të egra lumore.

‘’Parku Kombëtar i Vjosës është një model i ri, që Shqipëria ia jep Evropës por edhe botës se si duhet të mbrohet natyra dhe sidomos ekosistemet e ujrave të ëmbla, që janë kritikisht në zhdukje. Pas shpalljes Park Kombëtar mendoj se objektivi i radhës është vendosja në jetë dhe përmirësimi i planit të menaxhimit të Vjosës’’ – shprehet Nika.

‘’Puna ime me Vjosën nuk mbaron këtu, nuk mbaroi as dy vite më parë kur u shpall Park Kombëtar, aq më tepër pas marrjes së këtij çmimi që është një shtysë shumë e madhe për të vijuar punën me Vjosën dhe aktivizmim në Shqipëri. Fokusi kryesor do të jetë tek Shushica, degë kryesore e Vjosës, uji i së cilës planifikohet të devijohet’’ – shprehet aktivisja Besjana Guri.

Ekosistemi i Vjosës është një nga bastionet më të rëndësishme të biodiversitetit ujor në Evropë dhe ofron habitat jetik për disa specie të rrezikuara. Ky është Parku i parë Kombëtar në Shqipëri dhe në Evropë i një lumi të egër.Çmimi Goldman për mjedisin, i njohur ndryshe si “Nobeli i gjelbër” jepet çdo vit për aktivistë lokale nga gjashtë kontinente, që ndërmarrin nisma të jashtëzakonshme për të ndihmuar komunitetet e tyre.

“Ka qenë një vit i vështirë, si për njerëzit, ashtu edhe për planetin,” tha Jennifer Goldman Wallis, nënkryetare e Fondacionit Goldman për Mjedisin. “Ka kaq shumë gjëra që na shqetësojnë, na stresojnë, na zemërojnë dhe na ndajnë. Por për mua, këta udhëheqës dhe mësues mjedisorë dhe komuniteti global që i mbështet — janë zgjidhja.

Fituesit e tjerë të Goldman Prize 2025 janë: Semia Gharbi nga Tunizia, Batmunkh Luvsandash – Mongoli, Carlos Mallo Molina – Ishujt Kanarie, Laurene Allen – Shtetet e Bashkuara, Mari Luz Canaquiri Murayari nga Peruja.

Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman. Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë. Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme. Fituesit e Çmimit do të nderohen në një ceremoni që do të mbahet në San Francisko më 21 prill, ngjarje që do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të YouTube të Çmimit Goldman. (E martë, ora 2:30 e mëngjesit CEST)