Më 9 korrik,të mërkurën e kësaj jave, Radio Televizioni Shqiptar organizoi një tryezë me titullin optimist “Sfidat dhe vizioni për të ardhmen e RTSH”. Por ajo që duhej të ishte një moment reflektimi dhe transparence, përfundoi si një shembull flagrant i fasadës dhe hipokrizisë institucionale.
Tryeza nuk u zhvillua në ambientet e RTSH-së, por në një sallë luksoze konference në një prej hoteleve më të shtrenjtë të Tiranës. Pjesëmarrësit përzgjodhën me kujdes: përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, profesorë, ish-punonjës tashmë në pension, por shumë pak nga vetë stafi i RTSH-së, vetëm drejtuesit e Njësive apo dhe kryredaktorë të lajmeve . Dhe më e rëndësishmja: aktiviteti nuk u transmetua drejtpërdrejt, duke e hequr kështu çdo dyshim se “transparenca” ishte thjesht një etiketë zbukuruese.
 IMG 20250711 WA0007
*Transparenca, vetëm në letër*
“Sfidat dhe vizioni për të ardhmen e RTSH”, u prezantua si një hap drejt transparencës dhe riorganizimit të një prej institucioneve më të rëndësishme mediatike publike në vend. Por ajo që u dëgjua, u pa dhe u mos-transmetua në kohë reale, ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.
Pretendimi për transparencë bie që në hapin e parë: aktiviteti nuk u transmetua drejtpërdrejt në kanalet e RTSH-së, por u publikua me vonesë në RTSH24 dhe më pas në YouTube. Për një media publike që pretendon hapje dhe sinqeritet, ky veprim e zbeh që në rrënjë mesazhin e vet.
Zhvillimi i aktivitetit jashtë ambienteve të RTSH-së, në një sallë konferencash të një hoteli luksoz, është një tjetër sinjal i dështimit për të treguar kujdes ndaj shpenzimeve në një kohë krize, kur vetë drejtuesja Eni Vasili dhe folës të tjerë, si kryetari, nënkryetari, anëtarë të Këshillit Drejtues, në mënyrë sipërfaqësore dhanë lajmin se RTSH ka  një borxh prej 6 milion eurosh. Për gjithçka fajin e ka, drejtori paraardhës.
*Eni Vasili: Drejtoresha e re, me gjurmët e vjetra*
Në fjalën e saj, drejtoresha e re Eni Vasili, me vetëm dy muaj në detyrë, përshkroi një tablo dramatike: mbi 6 milion euro borxhe, detyrime të prapambetura, vështirësi ekstreme financiare. E megjithatë, asnjë emër i përmendur nga zonja Vasili në fjalën që zgjati 10 minuta. As edhe një denoncim në SPAK për kontratat e fryra, shkeljet proceduriale dhe dëmshpërblimet e pafundme që po i rëndojnë institucionit çdo muaj.
Znj. Vasili e quajti “sfidë” detyrën e re, por edhe një “dëshirë, ambicie”. Por RTSH nuk është vend për të realizuar ëndrrat personale të askujt. Është pasuri publike. Dhe kërkon profesionalizëm, jo emocione.
*200 punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme: Një plagë që vazhdon të rrjedhë*
Gjatë mandatit të ish-drejtorit Alfred Peza, rreth 200 punonjës të RTSH u pushuan nga puna në mënyrë të pajustifikuar dhe në kundërshtim me çdo procedurë ligjore. Shumë prej tyre kanë fituar gjyqet për rikthim në detyrë, të tjerë janë ende në proces, por vendimet janë njësoj të qart. Largime të paligjshme, që i kushtojnë RTSH-së miliona në kompensime.
Por ironia vijon, RTSH,  sot paguan dyfish pasi ish punonjësit kanë fituar gjyqet, shumë të tjerë pritet në vijimësi ti fitojnë, por edhe të kthehen në vendin e punës, ndërsa njerëzit që u emëruan në vendet e tyre, shpesh pa kriter profesional, paguhen me rroga të larta .
Për një institucion në krizë financiare, kjo është një vetëvrasje e heshtur, e cila vazhdon të mbulohet me heshtje dhe propagandë.
*Rikthimi i paaftësisë: Emërimet e Pezës dhe Polos vazhdojnë të dominojnë RTSH-në*
Pavarësisht ndryshimit të drejtimit, shumë nga postet kyçe të RTSH vijojnë të mbahen nga emra të lidhur ngushtë me Alfred Pezën dhe Aurora Polon – figura që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për katastrofën financiare dhe morale të institucionit.
Në poste drejtuese vijojnë të jenë:
* Shefi i IT-së dhe Teknologjisë
* Drejtuesi i Web-it (në varësi të Njësisë së lajmeve)
* Shefi i Sportit (prej një viti i emëruar dhe varet nga drejtuesi i Njesisë së Lajmeve)
* Drejtori i QVA-s, studiove lokale, e emëruar në shkelje gjatë drejtimit të RTSH nga A.Peza si shefe e Burimeve Njerëzore dhe në pas nga A.Polo drejtore e QVA. Vijon të mos lirojë zyrën e të jetë me raport prej gati 2 muaj
* Drejtoresha e Emisioneve dhe Tematikave , e cila prej shtatorit 2023 është paguar pa një vendim formal emërimi, dhe ne korrik 2024 u emërua në një mbledhje informale të Këshillit Drejtues (pa pjesëmarrjen e kryetarit- nuk u lajmërua)  që punën e kishte mbyllur për ta nisur ne shtator. Një shkelje e ligjshmërisë dhe mbledhje “nul” e pavlefshme edhe Komisioni Parlamentar i Medias.
IMG 20250711 WA0004
 **Korrupsion dhe vjedhje e pastër, ka marrë dhe vijon të paguhet,dhe nuk është e vetmja. **
Të gjithë këta janë produkt i pazareve politike, jo i meritokracisë, dhe mbajtja e tyre në detyrë përbën një vazhdim të qartë të rrënimit të RTSH-së.
 Ky është një apel: Jo më eksperimente në kurriz të medias publike!
Drejtuesit e emëruar në mënyrë klienteliste duhet të largohen. Asnjë reformë nuk mund të bëhet me njerëz që janë pjesë e problemit. Atyre që çuan RTSH-në në këtë gjendje nuk mund t’u besohet ta reformojnë atë.RTSH ka profesionistë të vërtetë, me integritet dhe përvojë. Ka njerëz që kanë punuar në kushte të vështira, që kanë ruajtur dinjitetin profesional edhe kur drejtuesit i shkelën me këmbë. Ata duhet të jenë themeli i çdo vizioni të ri.
IMG 20250711 WA0003
*Këshilltarë të jashtëm në kohë krize: luks i paturpshëm*
Ndërkohë që burimet financiare mungojnë, znj. Vasili ka vendosur të punësojë këshilltarë të jashtëm, një praktikë që vetë kryeministri Rama e denoncoi së fundmi si abuzive në institucionet shtetërore.
Pse nevojiten këshilltarë të jashtëm në një institucion ku punojnë dhjetëra profesionistë të medias, me dekada eksperiencë, me gradë shkencore dhe me kontribute kombëtare?
Kjo është një fyerje për stafin ekzistues, dhe një luks që nuk i lejohet një institucioni që thotë se “nuk ka para për programacion”.
*Problematikat strukturore dhe etike në menaxhimin e burimeve njerëzore*
Një nga pikat më të debatueshme që ngre tryeza është çështja e përshkrimit të vendeve të punës dhe vlerësimi i stafit. Kush do t’i përshkruajë punët e gazetarëve dhe producentëve që kanë 10-15-20-25 vite përvojë në RTSH? A do të jenë këto “përshkrime” një justifikim për spastrime të reja dhe zëvendësime klienteliste? Emërimet e fundit si ajo e drejtoreshës së Programacionit, një emër i ardhur nga News24 ngjall dyshime mbi profesionalizmin dhe përputhshmërinë me profilin e medias publike. RTSH nuk është një kanal informativ i zakonshëm por është një institucion që kërkon njohje të thellë të misionit kulturor, artistik dhe shoqëror që ka.
IMG 20250711 WA0006 1
Po ashtu, emërimi i drejtuesve në mënyrë të jashtëligjshme gjatë drejtimit të A.Pezës (si rasti i drejtoreshës së Emisioneve dhe Lajmeve, që ka marrë rrogë për muaj të tërë pa një emërim formal), e kompromenton seriozisht integritetin e institucionit dhe përforcon perceptimin e kapjes politike dhe klienteliste të RTSH-së.
IMG 20250711 WA0004
*RTSH nuk ka nevojë për dekore  por ka nevojë për drejtësi*
E gjithë kjo tryezë e 9 korrikut ishte një stërvitje retorike, pa asnjë akt konkret. Nuk pati asnjë angazhim për të rikthyer punonjësit e përjashtuar padrejtësisht. Nuk pati asnjë lëvizje për të larguar emërimet klienteliste. Nuk pati asnjë kërkesë publike për hetim të abuzimeve. Nuk pati asnjë guxim institucional.
RTSH nuk ka nevojë për “strategji të pjesshme”, për “dritare të së ardhmes” dhe për “këshilla të paguara”. Ka nevojë për drejtësi, për pastrim, për rikthim të ligjshmërisë dhe respekt ndaj kontributeve reale.
*Rrënjët e problemit dhe heshtja mbi përgjegjësinë*
Në fjalën e saj, 10 minuta, drejtoresha e re Eni Vasili, vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës, listoi borxhet dhe vështirësitë ekonomike të institucionit. Por pavarësisht se përmendi “abuzime”, nuk dha asnjë emër, asnjë datë, asnjë referencë konkrete. Të hedhësh akuza pa konkretizim dhe pa ndjekje në organet përkatëse është, në rastin më të mirë, retorikë pa pasoja. Në rastin më të keq, bashkëpunim me heshtjen.
Fakti që deri më sot, për asnjë nga këto borxhe të theksuara nuk është bërë ndonjë denoncim pranë SPAK, ngre ndjeshëm dyshimet për një sistem që kërkon të mbulojë gjurmët dhe jo të pastrojë rrënjësisht problemet.
*Fjalia që s’përballon realitetin*
Znj. Eni Vasili e mbylli fjalimin e saj me frazën:
“RTSH është kujtesë kolektive dhe dritare e së ardhmes.”
Por pyetja që lind natyrshëm është:
A mund të jetë kujtesë kolektive një institucion që ka fshirë historinë e vet, duke larguar padrejtësisht punonjësit më me përvojë dhe duke vendosur në vend të tyre njerëz pa profil profesional?
A mund të jetë “dritare e së ardhmes” një media me rreth 6 milion euro borxh, që çdo ditë po paguan dy herë për të njëjtin vend pune?
Nëse RTSH nuk bën një kthesë reale dhe të guximshme , jo me fjalë  por me vepra, atëherë e meriton një postulatë në hyrje të saj, një si ajo që ish drejtori i RTSH, tashmë nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, kish lexuar në Asamblenë e Përgjithshme të EBU në Gjenevë ku fasha kryesore është  “Jemi autostradë tjetër”. Pra, atëherë Radio Televizioni Shqiptar , do të mbetet  kujtesë kolektive, sic thatë ju drejtoresh Eni, dhe jo si po shihet deri tani “kujtesë e një mashtrimi të gjatë institucional”.
 P.S: Radio Televizioni Shqiptar nuk mbahet me frikë dhe kontrolle, por me respekt për njerëzit.
Në heshtje, ndërkohë që flitet për strategji dhe reforma, po ushtrohet presion i drejtpërdrejtë mbi punonjësit e RTSH me metoda të njohura dhe të vjetra: kontrolle të befasishme në vendin e punës.
Kjo nuk është e re, por e  njëjta praktikë e përdorur nga Alfred Peza gjatë drejtimit të tij për të krijuar alibi për largime. Nëse kjo është rruga që po ndjek Eni Vasili, atëherë është vetëm një përsëritje e një cikli abuziv që e ka çuar RTSH në këtë gjendje të mjerueshme.
Dhe ndërkohë që ndëshkohen ata që ndodhen jashtë zyrës për disa minuta, është fakt i ditur që ka persona që paguhen rregullisht pa u paraqitur asnjë ditë në punë, dhe kartat e tyre të check-in ua bëjnë  të tjerë, ata që i emëruan dhe “dora tyre”. Kjo është një farsë që e dinë të gjithë, por që askush nuk ka guxim ta ndalojë, ndryshe po fole për “firmën” që duhet të hedhësh cdo ditë pune se je i pranishëm, po kërkove të drejtën se po të shkelin personalitetin, zonja Eni Vasili të vë shkelmin.
Në vend të ndjekjes së modelit të frikës dhe përjashtimit, do të ishte më e ndershme të dëgjohej zëri i anëtarit të Këshillit Drejtues, Osman Mula, i cili theksoi me të drejtë:
“Askush me mbi 15 vjet punë nuk duhet të preket apo të cenohet.”
Ata janë memoria reale e RTSH-së – jo sloganet.
Nëse znj.Eni Vasili, e cila e ka konsideruar këtë drejtim si një ëndërr personale që iu bë realitet, zgjedh të ndjekë rrugën e Pezës dhe Polos, të kujtohet se  fundi i tyre nuk ishte aspak i ëndërruar. Ishte i turpshëm dhe me pasoja.
Siç tha edhe deputetja Ina Zhupa në fjalën e saj në tryezë, ndonëse me diplomaci:
“Jeni në periudhë prove.”
Tre muaj që duhet të shërbejnë për reflektim, jo për hakmarrje të reja.
Ndaj, boll më me kontrolle, boll më me tension, boll më me vëzhgime tinëzare në korridore e banjo.
RTSH nuk ka as ujë të pijshëm, as kushte minimale higjienike, as një vend për të ngrënë, ndërsa depozitat e ujit nuk pastrohen prej vitesh dhe nëpër banjo mungojnë edhe sendet më bazike si letra higjienike apo sapuni. Dhe në këto kushte, kërkohet që punonjësit të japin maksimumin, ndërsa paralajmërohen me masa disiplinore pse nuk ishin aty kur kontrollori trokiti në zyrë.
Edhe urdhri më absurd i kohëve të fundit – që të gjithë pushimet vjetore të kryhen deri më 15 gusht, pa asnjë logjikë praktike dhe në kundërshtim me Kodin e Punës  është një tjetër tregues i mentalitetit të komandës, jo të menaxhimit.
RTSH është institucion i njerëzve, jo kazermë ushtarake.
E ardhmja nuk ndërtohet duke përjashtuar, nënçmuar dhe frikësuar por duke vlerësuar, dëgjuar dhe respektuar ata që kanë dhênë e vijojnë të japin për këtë media, që skanë marrë asgjë , por vetëm marrin presione nga më të ndryshme nga njerëz megalloman e përfitues./kohajuaj