Në emisionin Repolitix në Report Tv u publikua sondazhi i radhës në bashkëpunim me sondazhistin e mirënjohur Eduard Zaloshnja ku qytetarët janë pyetur për temat më të rëndësishme të aktualitetit politik, duke nisur që nga marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët, hetimi i SPAK për ish-kryeministrin Berisha për aferën “Partizani” apo dhe kaosin e shkaktuar nga Rithemelimi në Parlament.
Shqiptarët nuk e mbështesin Sali Berishën në sulmet e tij ndaj drejtësisë. 74.5% e qytetarëve të anketuarve në sondazh mendojnë se Sali Berisha duhet të ishte paraqitur në SPAK për t’u përballur me drejtësinë për dosjen e ish kompleksit Partizani edhe pa një autorizim paraprak nga Kuvendi e vetëm 17.4% e qytetarëve përgjigjen “jo”.
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, PS do të ishte fituese sipas të dhënave të sondazhit, ndjekur nga grupimi i Sali Berishës forcë e dytë. Në sondazhin e muajit nëntor pyetjes se për kë parti do të votonit, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, 35.5% e të anketuarve janë përgjigjur PS, 18.1% PD e Berishës, 4.7% PD e Bashës, ndërsa forcë e katërt me 3.2% renditet PL e Ilir Metës.
Të gjitha forcat politike kanë një rënie nga një muaj më parë, ndërsa rritje me 3% ka përqindja e qytetarëve që nuk do të votonin.
Edi Rama vijon të dominojë arenën politike, duke qënë më i preferuari në mesin e 4 politikanëve më të rëndësishëm në vend, por krahasuar me një muaj më parë, përqindja e qytetarëve që nuk preferojnë asnjërin prej tyre, është rritur me 6%.
Të pyetur se çfarë mendimi kanë për punën e qeverisë, 24.3% e qytetarëve përgjigjen pozitiv, 14.2% anoj pozitiv, 30.1% anoj negativ ndërsa 31.4% negative.
Por qytetarët janë edhe kundër aksionit të fundit në parlament të nisur nga opozita me kaos dhe bllokim diskutimesh. Vetëm 15% e qytetarëve e konsiderojnë pozitiv aktivitetin e opozitës ndërsa rreth 80% e tyre mendojnë se veprimtaria opozitare është negative.
Skenari i kaosit dhe i dhunës, për qytetarët nuk do të shtojë përkrahjen në elektorat, e rrjedhimisht votat për të, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Pyetjes se a mendoni që strategjia e opozitës, për bllokimin e aktivitetit të parlamentit do tja shtojë përkrahjen në elektorat, 73.5% e tyre thonë jo.
Nisur edhe nga zhurma e prodhuar së fundmi, qytetarët janë të ndarë për marrëveshjen me Italinë për emigrantët. 38.7% e tyre janë pro, ndërsa pjesa tjetër 55.6% ose 1.135.000 janë përgjigjur kundër marrëveshjes, mbi të cilën do të sillen në Gjadër të Lezhës azilkërkues në Itali.