Përveç akuzave të zakonshme tashmë, se humbën ngaqë u vodhën zgjedhjet, mbështetësit e Sali Berishës kanë nisur të justifikojnë humbjen me faktin se ai nuk kishte logo, vulë, numërues etj etj.

Justifikim që e përmendi edhe Sali Berisha dhe të cilin e përsëriti edhe Jozefina Topalli një natë më parë.

“Kur në 1996-1997 kam hyrë për herë të parë në Parlament dhe dëgjoja se Berisha duhet të jepte dorëheqjen. Normal se çdokush ka mendimin e tij. Po pse i hoqën atij logon dhe emrin, pse ja hoqën atij? Pse nuk e lanë emrin e kryetarit të koalicionit? Nëse më cakton emrin e kryetarit gjykata nën presion, a quhet demokraci kjo. Nuk donin të na lejonin të hynim në zgjedhje. 1 vit e gjysëm kemi që po bëjmë përpjekje, po blejnë deputetë. Janë deputetë të 2021-shit të PD-së.

Për ta ndryshuar situatën, ne kemi një statut që kryetari i partisë do të votëbesohet. Berisha nëse do të ikë në 2025-ën, do të ikë se është në statut, por nuk mjafton kjo. Ne kemi nevojë për njerëz të vërtetë dhe për njerëz që dinë të bëjnë beteja. Besoj se për 2 vite, të gjithë ne, kryetari i partisë ik kur humb zgjedhjet politike”, tha Topalli.

Tani këta mendojnë se demokratët janë aq budallenj dhe mund t’i mashtrojnë sërish.

Po a nuk hyri edhe më 6 mars Sali Berisha në zgjedhje pa vulë e pa logo, por sërish në koalicion me Ilir Metën, dhe fitoi Shkodrën?

Atëherë nuk mbaheshin dhe thërrisnin fitore kundër Ramës, Bashës, madje dhe SHBA-së, dhe nuk përmendnin as logo dhe as vulë.

Pse më 6 mars vula dhe logo nuk i pengoi të fitonin dhe më 14 maj i pengoi?

Pastaj kur thonë që nuk kishin as mjete financiare, bëhen akoma më qesharakë.

Vetëm në Tiranë, sipas BIRN, Belind Këlliçi sponsorizoi 200 reklama nw rrjetet sociale, nga 66 që sponsorizoi Erion Veliaj, dhe nga 0 që sponsorizoi kandidati i PD zyrtare, Roland Bejko.

Këtu nuk po përmendim fushatën e shtrenjtë të “Foltores”, me para që s’dihet nga vinë, e cila nuk zgjati një muaj, por ka nisur që kur Berisha u shpall “non grata” dhe nisi lëvizjen për të marrë PD-në.

Për të mos folur pastaj për mediat.

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë qenë prezent gjatë fushatës në media, më shumë se dhe Edi Rama, se PD zyrtare nuk llogaritet, pasi u trajtua nga mediat sikur të mos ekzistonte fare.

Ndaj bëni mirë t’i lini justifikimet qesharake dhe t’iu thoni të vërtetën shqiptarëve, por sidomos demokratwve.

E vërteta është se gati 250 mijë demokratë nuk dolën fare për të votuar, për shkak të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Të tjerat janë gënjeshtra për t’i zgjatur jetën Berishës dhe agoninë PD-së dhe demokratëve.

(TemA)