Kreu i Partisë së Lirisës, Ilir Meta ka dëshmuar për rreth 3 orë ditën e sotme në SPAK në lidhje me aferën CEZ-DIA, e cila u rihap në prill të vitit të kaluar.
Pas daljes nga godina e SPAK, në një prononcim për mediat, Meta u shpreh se nuk ekziston asnjë akt, asnjë dokument që ai në çfarëdolloj detyre të ketë favorizuar këdo.
Por, Elvis Mata, një ish- drejtor në DIA, kompania e Kastriot Ismailajt mund të jetë “çelësi” i zbardhjes së kësaj afere. Burime bëjnë me dije se ai mund të jetë bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Meta e pranoi se Elvis Mata ka qenë pjesë e LRI-së, por e konsideroi atë një mashtrues ordiner.
“Prokurori, apo personi i autorizuar që më pyeti, mund t’ju them se përgjigjen më të shkurtër e kam dhënë për këtë person, mashtrues, të përzënë nga LRI që në 2004-2005 (Elvis Mata).
Kushdo që ka probleme me drejtësinë, mund të marr status. Është i autorizuar SPAK që ta përdorë përgjigjen time, gjithçka është mashtrim ordiner.
Këtu janë mal dosjet dhe kallëzimet e bëra, edhe nga unë. Për miliarda euro që i kushtojnë qytetarëve shqiptarë dhe shumë të tjerëve dëme. Ju ftoj që të bëni pyetje”, tha Meta.
Për dosjen e CEZ-DIA është dënuar Kastriot Ismailaj në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove.
Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.