Pas bumit turistik të verës së kaluar, Shqipëria po përgatitet të konkurrojë me Puglian edhe si një tërheqëse e produksioneve filmike.

Në mos një armike, atëherë një hakmarrje për protagonisten, Simonetta Dellomonaco, e cila u bë këshilltare shtetërore në Shqipëri për kulturën dhe kinemanë pas dorëheqjes së saj (një vit më parë) si presidente e Komisionit të Filmit të Puglias, ku kishte ndodhur një përplasje me regjisorin, Antonio Parente.

E ngarkuar me zhvillimin e filmit në Tokën e Shqiponjave, Dellomonaco sapo është bërë koordinatore e përgjithshme e një partneriteti mes Francës dhe Shqipërisë, për të cilin ajo ndërmjetësoi një takim mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Kur mu kërkua të zbatoja një strategji të re që përfshinte një reformë legjislative dhe ngritjen e Komisionit të Filmit në Shqipëri, menjëherë më erdhi në mendje Franca, sepse modeli legjislativ i saj është një referencë edhe për Italinë”, thotë Dellomonaco, e cila tani jeton shumicën e kohës në Paris, ku sapo është kthyer nga Tirana.

“Në Paris”, shpjegon ajo, “po zhvilloj një punë të përbashkët mes CNC-së, Qendrës Ndërkombëtare të Kinematografisë Franceze dhe qeverisë shqiptare, nisur nga një marrëveshje ndërkombëtare që u nënshkrua në Tiranë në prani të një delegacion francez, të formuar vetëm nga presidenti Macron, por edhe nga ministrja franceze e Kulturës, Rima Abdul Malak dhe nga presidenti i CNC, Dominique Boutonnat”.

Në anën tjetër të Adriatikut, siç ndodhi njëzet vjet më parë në Puglia, synimi është që kinemaja të bëhet një mjet për zhvillimin lokal bazuar në tre shtylla: bashkëprodhim, trajnim dhe promovim.

“Prioritet për Edi Ramën”, garanton Dellomonaco.

Për këtë arsye, tashmë ka nisur një proces për ngritjen e një fondi bashkëprodhimi franko-shqiptar, i cili do të ratifikohet në maj gjatë Festivalit të Filmit në Kanë.

Ndër objektivat: ta bëjmë Shqipërinë një set filmik të përhershëm. Në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Puglian.

“Sepse Shqipëria”, shpjegon Dellomonaco, “jo vetëm që i ngjan shumë, por ofron edhe shumë për nga vendndodhja, me vendbanimet e saj historike dhe arkeologjike dhe peizazhet e saj natyrore. Plus ka edhe malet”.

Dhe për dorëheqjen e saj si presidente, një post që gjithsesi asambleja nuk do t’ia kishte rinovuar, Dellomonaco thotë se “nuk ndjen asnjë inat”.

“Corriere Della Sera”