Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një statusi në “Facebook” ka bërë me dije se i ka propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e ri për kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Bëhet fjalë për Vlora Hysenin. Rama thekson se Hyseni është një emër që garanci për reformimin e mëtejshëm të shërbimit të inteligjent.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkruan Rama.
Vlora Hyseni ka qenë e angazhuar në udhëheqjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Para disa muajve, ajo u shkarkua nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, prej të gjitha funksioneve të AKI-së.
Pasi u shkarkua nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kryeministri Edi Rama e emëroi Vlora Hysenin këshilltare të tijën.
Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ajo flet disa gjuhë të huaja.