Ngrohja globale, e cila po rrit frekuencën e zjarreve në pyje, është përgjegjëse për rritjen e numrit të vdekjeve të lidhura me ndotjen e shkaktuar nga këto zjarre, sipas një studimi të publikuar (10/21) bazuar në disa modele.
“Pasojat e ndryshimit të klimës (…) në vdekshmërinë e shkaktuar nga zjarri janë evidente për 60 vjet dhe vazhdojnë të rriten”, përmbledhin autorët e këtij studimi të botuar në revistën shkencore Nature Climate Change.
Siç raportohet, ndryshimet klimatike priren të rrisin frekuencën e zjarreve në pyje në mbarë botën, megjithëse kjo tendencë nuk është e njëtrajtshme kudo. Zjarret, nga ana tjetër, rrisin ndotjen e grimcave që dëmtojnë shëndetin dhe çojnë në shumë vdekje.
Në fakt, autorët e studimit u përpoqën të përcaktonin se deri në çfarë mase ngrohja globale mund të lidhet me këto vdekje, gjatë një periudhe nga vitet 1960 deri në ditët e sotme. Për ta arritur këtë, ata kryen një seri simulimesh kompjuterike dhe krahasuan realitetin historik me një situatë hipotetike ku ndryshimi i klimës nuk do të ekzistonte. Ata arritën në përfundimin se më shumë se 10,000 vdekje ishin të lidhura në vitet 2010 me efektet e ndryshimeve klimatike në zjarret. Në vitet 1960 këto vdekje ishin më pak se një mijë.
Megjithatë, këto shifra jepen me rezerva, sepse modelet e përdorura dhanë vlerësime shumë të ndryshme. Sipas disa vlerësimeve, më shumë se një e katërta e vdekjeve të lidhura me zjarret në vitet e fundit mund t’i atribuohen ndryshimeve klimatike. Në të tjerat, megjithatë, kjo përqindje bie në 5%.
Në çdo rast, modelet shfaqin një tendencë në rritje. Autorët vunë në dukje se ndikimi i ndryshimit të klimës në vdekshmërinë nga zjarri është më i dukshëm në Amerikën e Jugut, Australinë jugore dhe Evropë. Ky trend shpjegohet me uljen e përgjithshme të lagështirës në këto zona. Në të kundërt, në rajone të tjera si Azia Jugore, vdekshmëria nga zjarri është ulur për shkak të rritjes së lagështisë.
Burimi: APE – MEB