Ambasada e SHBA, ditën e djeshme ka njoftuar ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, mes tyre dhe SPAK. Lidhur më këtë vendim të ambasadës, deputeti i PS Petro Koçi, u shpreh në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv, se fondet e SPAK varen nga buxheti i shtetit.
Koçi tha se do të bëhet një rishikim dhe nuk përfshihet vetëm Shqipëria.
“Fondet e SPAK varen nga buxheti i shtetit shqiptar dhe këto fonde nuk janë ndërprerë për SPAK në mënyrë të veçantë, por është urdhër me përfshirje globale, që u dha urdhër nga Trump për 90 ditë për të bërë një lloj rishikimi. Nuk është se ka lidhje me Shqipërinë në mënyrë të veçantë”, tha ai.
Lidhur me dosjen e 21 janarit që po hetohet nga SPAK, Koçi tha se Berisha është përgjegjësi kryesor për prishjen e provave. Sipas tij, audio përgjimi që ka njëra prej familjeve të viktimave është një provë shumë e fortë.
“Berisha mban përgjegjësi për prishjen e provave dhe një nga ato ishte regjistrimi kamrave të brendshme në kryeministri. Dëshmitarët kryesor janë ende dhe procesi hetimor i kryer nga prokuroria u pengua haptasi nga qeveria në atë kohë, kur s’u lejua që zinxhiri i gardës të kalonte nën hetim.
Procesi nuk shkojë kurrë lart, nuk është pyetur ish- ministri i Brendshëm, ish- presidenti dhe as ish- kryeministri. Fati i madh është vendimi i gjykatës së Strasburgut që tha që është krim shtetëror dhe tha që duhet të fillojnë hetimet.
Pastaj është audio përgjimi që ka familja e njërit prej dëshmorëve dhe të 4 personat janë vrarë jashtë perimetrit të kryeministrisë. Vrasjet kanë ndodhur kur nuk ka pasur përplasje dhe lotësjellësi është përdorur për të provokuar protestuesit. Janë deklaratat e Berishës që thoshte çadra pistoletë, ai duhet të mbajë përgjegjësi për ato që ka thënë”, tha ai.
Sa i takon ngritjes së strukturës hetimore të posaçme për krimet zgjedhore nga SPAK, Koçi tha se duhet edhe një koordinim i mirë me policinë dhe me prokuroritë në vend.
“Kjo kërkon një bashkëpunim të mirë edhe me policinë e shtetit dhe me prokuroritë. Kjo që po bënë SPAK është një presion për çdo njeri që guxon që të shkel ligjin”, tha ai.