Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ka shpjeguar detaje të tjera në lidhje me veprimtarinë kriminale të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, për të cilin SPAK ka lëshuar edhe një urdhër-arrest.
Teksa shpjegoi veprimtarinë e tij deri në kandidimin në radhët e PS në vitin 2013, ai rikujtoi se gjatë zgjedhjeve të këtij viti ka pasur një incident në qytetin e Lezhës ku është përfshirë deputetja Monika Kryemadhi dhe pjesëtarë të fisit Ndoka.
Sipas tij në këtë incident “të fortë dhe të dhunshëm” ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka.
Duke vijuar më tej ai shtoi se pas vrasjes së Aleksandër Ndokës, i vëllai nisi të kërkonte vrasësit duke menduar se ngjarja ndodhi për motive politike dhe e porositur nga politikanë të rëndësishëm të lidhur me incidentin e vitit 2013.
Nga kjo pikë, është nisur një zinxhir ngjarjesh me krijime aleancash dhe përplasjesh mes grupeve të ndryshme kriminale në zona të Shqipërisë, që sot kanë sjellë hetimin e SPAK.
“Arben Ndoka nuk ka qenë thjesht një deputet, ai përfaqësonte një fis apo klan që ishte shumë i fuqishëm në Lezhë. Më parë ai ka qenë emigrant në moshë te re, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni. Ka ardhur në Shqipëri është bërë pjesëtar i Gardës, pastaj ka shkuar në drejtorinë e INUK, nga aty është bërë drejtor në bashkinë e Tiranës në kohën e opozitës dhe më pas ka kandiduar për PS.
Në vitin 2013 ka ndodhur një incident në zonën e Lezhës, ku u vra një shtetas në Laç në ditën e zgjedhjeve. Para se të ndodhte kjo, deputetja Monika Kryemadhi ka pasur një incident në Lezhë me pjesëtarë të fisit Ndoka. Aty ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka. Incidenti ka qenë i fortë dhe i dhunshëm.
Më mbrapa Ndoka merr mandatin, PS përmbys situatën në Lezhë. Del ligji për dekriminalizimin dhe Ndoka humb mandatin sepse erdhi dënimi nga Italia. Çfarë ndodh, vëllai i tij ishte përfaqësues i pushtetit vendor dhe vritet në një atentat. Nga ky moment fisi Ndoka ka nisur hulumtimin për të gjetur kush vrau vëllanë dhe mendonin se vrasja u bë për arsye politike dhe mendonin se kjo u porosit nga Tirana nga politikanë të rëndësishëm, të lidhur me incidentin e vitit 2013.
Nga atentati ka nisur një zinxhir ngjarjesh, Ndokat kanë kërkuar vrasësit. Bardhok Pllana ka negociuar me fisin Ndoka dhe ka marrë përsipër që në këtë ngjarje nuk ka pjesëtarë të fisit Rraja nga Nikla. Më pas pjesëtarët e familjes Bami për të larguar dyshimet futën një negociator tjetër. Personi tjetër që nuk ka negociuar në këtë histori, është Mariglen Haka. Ndokat bëhen bashkë me Ervis Martinajn dhe grupin e Shkodrës me Bajrat dhe përdorin lidhjet në Shijak.
Përballë tyre janë grupet e Niklës, grupi i Burrelit, një grup në Kurbin, përfshirë edhe Roan Brahimin. Të gjithë grupet e Fushë Krujës janë përballur me grupet e Martinajt dhe kjo ka krijuar një zinxhir ngjarjesh që ka sjellë këtë mega hetim të SPAK”, shpjegoi ai.