Nesër nis faza e parë e shitjes së biletave të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Organizatorët kanë preferuar që të bëjnë publike disa detaje, të cilat i vijnë në ndihmë tifozëve, të cilët dëshirojnë të ndjekin nga stadiumi ketë event.
Nesër në orën 14:00, UEFA nis shitjen e më shumë se 1.2 milionë biletave të para për EURO 2024 në Gjermani. Kjo fazë e parë e shitjeve përfundon më 26 tetor.
Të interesuarit mund të aplikojnë maksimumi për katër bileta për person përmes faqes së internetit EURO2024.com. Sipas UEFA-s, nuk ka rëndësi nëse e bëni këtë më 2 apo 26 tetor. Në rast se do të ketë kërkesa të shumta do të jetë shorti, ai që do të vendosë së cili prej aplikuesve të pajiset me biletë.
Sa u përket datave mësohet se vetëm tifozët e Gjermanisë mund të kenë një avantazh në këtë “valë” të parë shitjesh pasi për momentin është bërë publike vetëm kalendari i Gjermanisë në grupe. Ekipi i Nagelsman çel kompeticionin në Mynih më 14 qershor dhe më pas më 19 qershor luan në Shtutgart ndeshjen e dytë ndërsa më 23 udhëton drejt Frankfurtit për të luajtur takimin e tretë të fazes në grupe.
Sa u përket 31 pjesëmarrësit e tjerë ende nuk janë përcaktuar stadiumet ku do të luajnë tre ndeshjet e grupeve. Më shumë në këtë drejtim tifozët do të njihen më 2 dhjetor kur do të hidhet edhe shorti i grupeve. Pra kushdo që aplikon tani nuk e di ende, përveç takimeve të Gjermanisë, cilat skuadra do të mund të shikojnë.
Çmimet e biletave variojnë nga 30 euro (kategoria më e lirë në takimet e grupeve) deri në 1000 euro (kategoria më e mire në finalen e Berlinit). Edhe pse kategoria më e lirë për stolat direkt pas portave ofrohet për të 51 ndeshjet, ndryshe nga viti 2021, çmimet janë rritur në përgjithësi krahasuar me Kampionatin Evropian të kaluar.
Çmimet në kategorinë “Tifozët vijnë të parët”: faza e grupeve 30 euro, për ndeshjen hapëse është 50, 1/16 50 euro, çerekfinalet 60 euro, gjysmëfinalet 80 euro, finalja 95 euro.
Çmimet në “Kategorinë e 3-të”: faza e grupeve 60 euro, për ndeshjen hapëse 195 euro, 1/16 85 euro, çerekfinalet 100 euro, gjysmëfinalet 195 euro, finalja 300 euro.
Çmimet në “Kategorinë 2”: faza e grupeve 150 euro, për ndeshjen e hapëse 400 euro, 1/16 175 euro, çerekfinalet 200 euro, gjysmëfinalet 400 euro, finalja 600 euro.
Çmimet në “Kategorinë 1″: faza e grupeve 200 euro, për ndeshjen e parë 600 euro, 1/16 250 euro, çerekfinalet 300 euro, gjysmëfinalet 600 euro, finalja 1000 euro.
Çmimet në “Kategorinë 1 – Premium”: faza e grupeve 400 euro, për ndeshjen e parë 900 euro, 1/16 500 euro, çerekfinalet 700 euro, gjysmëfinalet 900 euro, finalja 1000 euro.
UEFA bën me dije se pas shortit të grupeve, më 2 dhjetor, dy ditë më vonë më 4 dhjetor fillon faza e dytë e shitjeve të biletave. Në këtë fazë do të përfshihen shoqatat kombëtare të skuadrave pjesëmarrëse. UEFA ka bërë me dije se në muajin prill u jep mundësi tifozëve të pajisur me bileta që ti shkëmbëjnë me njëri-tjetrin me qëllim që të asistojnë në ndeshjet e ekipeve të tyrë të zemrës.
Ndërsa një tjetër “valë” shitjesh do të bëhet edhe më 4 qershor të 2024 ku do të vendosen në dispozicion bileta për kombëtaret, të cilat janë kualifikuar në fazën e eleminimit direkt.