Sali Berisha ka vendosur të mos i bindet vendimit të gjykatës për masën e sigurisë detyrim paraqitje. Sipas juristëve dhe bazës ligjore në fuqi, shkelja e urdhrit të gjykatës, mund të pasohet me një masë më të rëndë sigurie si arresti në shtëpi, për të cilën kërkohet autorizim nga parlamenti, ose me vijimin e masës aktuale duke e hetuar Sali Berishën në mungesë.

Sali Berisha deklaroi se nuk do të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji për të zbatuar vendimin e dhënë ndaj tij nga gjykata e posaçme për akuzën e korrupsionit pasiv me privatizimin e kompleksit Partizani.

“Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ajo ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme. Do të thotë e paligjshme”- tha Berisha.

“Report TV” u konsultua me juristë dhe me bazën ligjore në fuqi nga ku rezulton se ish-kryeministri mund të përballet me masë më të rëndë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës për “detyrimin për tu paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.

Data e parë kur Berisha duhet të shkojë aty, sipas vendimit të gjykatës, është ora 10.00 e datës 6 nëtor 2023. Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur dhe se nuk ka dorëzuar raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mosparaqitjen.

Që nga ky moment, prokurorit i lind e drejta të veprojë me zëvendësimin e masës “detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit” me një masë tjetër më të rëndë. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar nga vendimi i gjykatës. Mosparaqitja edhe pas këtij njoftimi, i vendos prokurorët para dy opsioneve:

I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, më të rëndë se ajo që nuk po ekzekutohet, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti. Për masën “arrest në burg”, ka një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Ndërkohë masa arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe.

Në këtë rast, SPAK dhe GJKKO i kërkojnë parlamentit, krahas heqjes së imunitetit edhe autorizim për shoqërim të detyrueshëm të Berishës me policë, pasi nuk ka zbatuar masën e parë. Nëse parlamenti e miraton kërkesën, ekzekutimi i masës bëhet nga policia që e shoqëron Sali Berishën në banesë dhe vendos një trupë shërbimi për tu kujdesur për zbatimin e arrestit në shtëpi përsa kohë kjo masë vijon.

Arresti në shtëpi shoqërohet me kufizime që kanë të bëjnë me takimin vetëm me anëtarë të familjes dhe avokatin duke mos lejuar kontaktin me median apo persona të tjerë. Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është që prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai vendosin vijimin e procedimit me këtë masë që është në fuqi, duke administruar deklaratat ku Berisha verbalisht pranon se ka marrë dijeni për masën. Në këtë rast, duke qenë se të hetuarit i është ndaluar dalja jashtë shtetit, vendimi i masës depozitohet në sekretarinë e GJKKO e cila ia dërgon Berishës me postë në adresën ku figuron banues.

Pas këtij veprimi, bëhet deklarimi i mungesës së Berishës, dhe sipas ligjit, i barazohet me personin e ikur, në zbatim të Nenit 247, paragrafi 3/1 i Kodit të Procedurës Penale që parashikon se: I ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, ose dënimit me burgim. Ky nen i përgjigjet saktësisht situatës së Berishës, për të cilin policët kanë shënuar në procesverbal se “nuk u gjet” pasi kanë tentuar ta lajmërojnë në selinë e Rithemelimit dhe në banesën e tij ku ka adresën e deklaruar edhe pse ai verbalisht ka marrë dijeni për masën.

Deklarimi i ikjes, i jep të drejtë prokurorisë e gjykatës, që të vazhdojnë hetimet e çështjes me një avokat kryesisht për Berishën (atë që e përfaqësoi gjatë masës ose avokat tjetër) dhe ta dërgojë dosjen në gjyq për zgjidhjen e saj në themel. Sa i përket diskutimit nëse duhej kërkuar autorizim nga Parlamenti për masën që Sali Berisha nuk po zbaton, juristët thonë se rastet e heqjes së lirisë për të cilën duhet të kërkohet leje nga legjislativi janë shtatë, dhe asnjëri prej tyre nuk është zbatuar ende ndaj ish-kryeministrit.

7 rastet e heqjes së lirisë

1-Ekzekutimi i një vendimi dënimi me burgim i formës së prerë

2-Ekzekutimi i një mase sigurie arrest në burg ose në shtëpi

3-Ndalim me urdhër të prokurorit

4-Ndalim me iniciativë nga Policia Gjyqësore

5-Arrestim ne flagrancë nga Policia Gjyqësore

6-Shoqërim i detyruar në Gjykatë

7-Shoqërim në Polici