Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama prezantoi qeverinë e re për mandatin e katërt radhazi. Rama prezantoi ministren e parë në histori të krijuar me Inteligjencë Artificiale, të quajtur Diella.
Rama tha se Diella do të drejtojë edhe Prokurimet Publike përgjegjëse për tenderët, të cilët siç nënvijëzoi kreu i qeverisë me këtë zgjedhje do të jenë të pakorruptueshëm.
“’Diella’, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie, do ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e AI në proceset qeverisëse dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikën e paragjykimeve dhe ngurtësisë së administratës.
Dje në mbledhjen e fundit të qeverisë së tretë, u mor dhe vendimi i fundit, për nxjerrjen e tenderave jashtë nga ministritë. Në mandatin e katërt, duhet bërë “Diella” shërbyesja e prokurimeve publike, të cilat duam t’ia kalojmë hap pas hapi AI-së, duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publik janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm.
Kjo nuk është fantashkencë, por detyrë e “Diellës”. Mandati i “Diellës” nuk do të ketë as kufij gjeografik, as kufij kombësie dhe struktura në mbështetjen e saj do të ketë të drejtën të punësojë këtu talente nga e gjithë dynjaja“, tha Rama.