Në një intervistë ekskluzive për gazetën TemA, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, ka folur hapur për sfidat me të cilat përballet politika shqiptare.

Ai u ndal fillimisht tek ideja e propozuar nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një shteti Bektashian. Shehi u shpreh se kjo ide nuk mund të jetë tjetër veçse një shaka pa kripë e kryeminstrit, e cila nëse do të realizohej, do ta bënte edhe vetë komunitetin Bektashian të dukej qesharak. Ai tha gjithashtu se ekziston rreziku i lindjes së një përçarjeje mes Bektashinjve dhe komuniteteve të tjera fetare, të cilat mund të duan të krijojnë shtetet e tyre në të ardhmen, nëse projekti për krijimin e shtetit Bektashian do te realizohet.

Më tej, kryetari i LZHK ka komentuar edhe sfidat me të cilat përballet politika shqiptare, veçanërisht opozita. Ai tha se opozita po vuan ende pasojat e konfliktit të brendshëm, ndërsa në lidhje me hetimin ndaj familjes Berisha, ai u shpreh se problemet e një familjeje nuk janë problemet e shqiptarëve.

Shehi tha se gjithashtu se alternativën opozitare, që ai po përpiqet të krijojë, e ndan nga qeveria fakti se grupi i tij janë kundër korrupsionit. Ndërkaq, janë tri çështje kryesore që atë e ndajnë me grupin e ‘Rithemelimit,’ që drejtohet nga Sali Berisha. Këto tri çështje janë: raportet politike me sistemin zgjedhor, drejtësinë dhe me ndërkombëtarët. Ai kritikoi gjithashtu  qasjen e ‘Rithemelimit’ ndaj drejtësisë së re, duke thënë se janë duke bërë teatër, pasi një ditë e quajnë SPAK një grup kriminal, ndërsa të nesërmen i drejtohen për të ngritur padi ndaj kundërshtarëve.

I pyetur se a do t’i bashkohet protestës poshtë ballkonit të Berishës nëse askush tjetër nuk i bashkohet nismës së tij për një bllok të ri opozitar, Shehi tha se kjo nuk ka ndodhur dhe as që ka për të ndodhur kurrë, edhe nëse do t’i kushtojë mandatin. Për kryetarin e LZHK, kjo nuk është çështje mandatesh.

Shehi prezantoi edhe alternativa të reja për opozitën, duke theksuar se është koha për një riorganizim të vërtetë. Sipas tij, opozita duhet të jetë më dinamike, më afër qytetarëve dhe më e përgatitur për të ofruar zgjidhje konkrete. “Ndryshimi nuk ndodh me fjalë të mëdha, por me veprime të vogla dhe të mirëplanifikuara,” thotë ai, duke shpjeguar se politika duhet të përqendrohet te përmirësimi i jetës së përditshme të njerëzve.

Në fund, Shehi ndau vizionin e tij për një opozitë të reformuar dhe të përkushtuar, që dëgjon më shumë dhe është më afër qytetarëve. Sipas tij, vetëm një opozitë e tillë mund të rifitojë besimin e publikut dhe të sjellë ndryshimin që ka nevojë vendi.