“Na urdhëruan që të vinim t’ju merrnim dhe do t’ju hidhnim te Mali me Gropa, të gjithë ju siç ishit në helikopter…Zbato urdhrin që kishe në fillim se do ta kesh keq për veten tënde. Hidhi këta!.. ” 

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për kohën kur u fut në burg nga Sali Berisha. Beqiri rrëfen për gazetaren një histori që i kishte treguar piloti që do i transportonte nga burgu i Bënçës, në atë të Burrelit. Piloti i shkon në zyrë Beqirit në ‘98-ën edhe i tregon se si morën urdhër për ta hedhur atë, bashkë me të burgosurit e tjerë në Malin me Gropa.

“Pas takimit me Kastriot Islamin dhe me Ilir Metën më arrëstoi Berisha. Kisha tre ditë që isha kthyer nga Belgjika në 1998-ën. Bie dera e zyrës, një burrë i madh, i gjatë, me flokë biondë, po qeshte.

Më tha: “Të tregon gjë kjo fytyra ime?”. Të kam parë diku i thashë. Më tregoi që është piloti që më ka marrë nga burgu i Bënçës. “Na urdhëruan që të vinim t’ju merrnim dhe do t’ju hidhnim te Mali me Gropa, të gjithë ju siç ishit në helikopter.” Na shpjegoi gjithë skemën si do të veprohej. Ne pamë debate që po bëheshin mes tyre në helikopter.

Më thotë prapë: “Mbase ke dëgjuar biseda të ashpra në helikopter. U thashë që më mbaroi karburanti dhe u ula te Fusha e Aviacionit për të marrë gjoja karburant dhe aty nuk pranova, që t’ju hidhnim te Mali me Gropa, siç kishim urdhrin.

Pas 4 orësh e ca aty mbas shumë debatesh që u bënë, na thanë që t’ju çonim në burgun e Burrelit. Se çfarë ndryshoi nuk e di, siç nuk e di se nga erdhi urdhri që t’ju çonim në burgun e Burrelit. Po prapë me vinin zëra në radio që më thoshin: “Zbato urdhrin që kishe në fillim se do ta kesh keq për veten tënde. Hidhi këta!”

Unë e mora helikopterin, ju lashë te fusha e sportit dhe ika në Itali me gjithë familjen time.” Ky ishte njeri nga ata dy që u arratisën atëherë nga Shqipëria. E dëbova pilotin. Fola me ministrin e Mbrojtjes Sabit Broka, edhe i thashë çfarë më tha piloti. Ai e verifikoi dhe tha janë të vërteta 100% siç ka thënë ai”, tha Beqiri. (Vijon)