Janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë dy shtetas të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, të cilët akuzohen për përfshirje në aktivitete të rënda kriminale dhe janë nën hetim nga SPAK.

Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit — një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend — ishte i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe akuzohet nga Gjykata e Posaçme për vrasje dhe vjedhje me armë.

Ndërsa Artemis Stafa dyshohet për pastrim parash në shërbim të një grupi kriminal me bazë në Elbasan.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:

-D. D., i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë;

-A. S., i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.