Nga viti 1964 gjer në 1966, me nismën e Injac Ndojës, nga Katedra e Petrografisë-Mineralogjisë
e Fakultetit të Gjeologji-Miniera, u ftuan dhe erdhën në Shqipëri tre gjeologë francezë, nga më të
njohurit në Evropë, që kishin bërë dhe botuar studime mbi Gjeologjinë e Ballkanit, përjashto
Shqipërinë: Jean Aubouin, që do të bëhej antar i Akademisë së Shkencave të Francës dhe, në
vitet 1989-90, kryetar i saj; Jan H. Brunn i Universitetit të Parisit dhe Jean Dercourt, që, edhe ky,
do të bëhej antar i Akademisë së Shkencave të Francës dhe një nga sekretarët e përhershëm të
saj.
Në rrethanat e ashpra politike të fillim viteve ’60, ardhja në Shqipëri e gjeologëve francezë ishte
një akt tepër kurajoz, pothuaj i pa-imagjinueshëm për kohën, por Injac Ndoja, mbi gjithçka,
ndjente detyrë për të shpalosur arritjet e Gjeologjisë shqiptare, edhe në planin ndërkombëtar,
pavarësisht për pasojat që mund të kishte, siç edhe i pati.

Gjeologët francezë Injaci i udhëhoqi në disa eskursione gjeologjike: në shtator-tetor 1964 me
Jean Aubouin, gjatë tre javëve, është në Alpet e Shqipërisë të zonës së Tropojës, por eskursione
të tilla gjeologjike u bënë edhe në jug të vendit, edhe me Jan H. Brunn dhe Jean Dercourt. Kohë
më pas, Jan H. Brunn do të shprehej: “Nga përvoja ime shumë-vjeçare si gjeolog, përfshirë edhe
atë shqiptare, çmoj përcaktimin e saktë të profesor Injac Ndojës, që gjithnjë ngulmonte se
Shqipëria është perlë në kënd-vështrimin gjeologjik dhe shkollë e përkryer për të gjithë
gjeologët”.

Më 1964, me autorë Jean Aubouin dhe Injac Ndoja, botohet, në frëngjisht, në “Buletinin e
Shoqatës Gjeologjike të Francës”, studimi, prej 33 faqe format-reviste, “Vështrim mbi
gjeologjinë e Shqipërisë dhe vendi i saj në gjeologjinë e Dinarideve”. Një ish student dhe, më
pas, koleg i Injacit, P.Theodhori, vite më vonë tregon: “Si specialist i gjeologjisë jo vetëm e kam
studjuar këtë artikull, por edhe e kam përkthyer në shqip, kjo edhe në procesin tim të të mësuarit
të gjuhës frënge”.

“Vështrim mbi gjeologjinë e Shqipërisë dhe vendi i saj në gjeologjinë e Dinarideve” pati jehonë
të veçantë në qarqet gjeologjike shqiptare, por edhe të huaja sidomos. Në Shqipëri jehona ishte
edhe pozitive, por, jo më pak, edhe politiko-negative e kohës, ndërkohë, ky studim gjendet në
referencat e shumë e shumë studimeve gjeologjike të autorëve të huaj dhe shqiptarë, rreth 40 të
tillë, më i fundit i vitit 2022, publikuar në revistat më të spikatura të Shkencës së Tokës dhe atyre
Gjeologjike në Francë, Belgjikë, Itali, Zvicër, Gjermani, Shtetet e Bashkuara (USA), Mbretëria e
Bashkuar (UK), Shqipëri, Kosovë, Kanada, Greqi, Poloni, etj, duke qenë studimi më i cituar
gjeologjik për Shqipërinë.

Më 1965 Injac Ndoja është gjeologu i parë shqiptar që bëhet antar “i jashtëm” (étrangère) i
Shoqatës Gjeologjike të Francës.

Një vit më pas, në verë 1966, ndërsa gjendej me gjeologun francez Jean Aubouin, ardhur për të
dytën herë në Shqipëri, në një ekspeditë gjeologjike në rrethin e Dibrës, në mungesë dhe
nëpërmjet të ashtuquajturit “qarkullim”, Injac Ndojën, 52 vjeçar, në kulmin e kapaciteteve
shkencore dhe fizike, e largojnë nga Fakultetit të Gjeologji-Miniera i Universitetit të Tiranës.
(nga “Jetëshkrimi”, GjN)