Ndonjëherë ndihemi të parehat, të bllokuar në një jetë të përditshme gri dhe të bardhë, bosh dhe të pakuptimtë. Kur na pyesin se çfarë po ndodh me ne, themi se jemi të lodhur, vetëm kaq dhe asgjë më shumë. Mirëpo, kjo rraskapitje pa formë e arsye fsheh trishtimin, “atë mikun negativ” që vendoset pa leje në mendje e në zemër dhe na infekton me apati dhe vetmi.

Le ta pranojmë, të gjithë e kemi gjetur veten në një situatë të tillë. Kur lodhja i shtohet atij emocioni ngjitës, të ngathët dhe të thellë si trishtimi, shumë herë na vjen natyrshëm që të konsultohemi me “Doktor Google” në kërkim të një diagnoze të mundshme. Në atë moment na shfaqen terma si “depresioni”, “anemia”, “hipotiroidizmi” etj.

Kur trishtimi na pushton brenda nesh, në fillim e konceptojmë si diçka të gabuar, një patologji që duhet ta heqim menjëherë, si dikush që duhet të heqë pluhurin ose papastërtitë nga rrobat e veta. Ai na konsumon dhe duam të mbrohemi prej tij pa u ndalur për të kuptuar anatominë e tij, për t’u thelluar në gjarpërimet e tij melankolike.

Ndonjëherë harrojmë se trishtimi nuk është një çrregullim, se trishtimi dhe depresioni nuk janë sinonime. Për sa kohë që ky emocion nuk zgjat me kalimin e kohës dhe nuk ndërhyn vazhdimisht në stilin tonë të jetesës, është një mundësi, sado paradoksale që mund të duket, për të avancuar dhe rritur.

Të lodhur: lodhja mund të fshehë diçka tjetër

Ndonjëherë kalojmë periudha të tilla ku shkojmë të flemë të lodhur dhe zgjohemi duke u ndjerë njësoj. Mund të shkojmë te mjeku, megjithatë rezultatet e analizave do të na tregojnë se nuk ka asnjë problem hormonal, nuk ka anemi dhe as një patologji tjetër me origjinë organike.

Mjeku me shumë gjasa do të na shpjegojë se ndonjëherë kjo lodhje vjen si pasojë e ndryshimeve sezonale, e një kalimi të lehtë tipik të vjeshtës apo pranverës. Një efekt i lehtë që mund të zgjidhet me një trajtim farmakologjik të kufizuar në kohë.

Megjithatë, ka disa gjendje emocionale që nuk kanë nevojë fare për ndihmën e barnave për t’u zgjidhur. Kur ndiejmë ndikimin e tyre psikosomatik në trupin tonë, është logjike të na trembin dhe, për pasojë, gabojmë duke e trajtuar këtë simptomë pa u fokusuar në thelbin e problemit: trishtimin.

Pse mendojmë se jemi të lodhur kur jemi të trishtuar?

Mekanizmat e trurit që rregullojnë gjendjet tona emocionale janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ndërsa lumturia ose gëzimet shkaktojnë lidhje dhe hiperaktivitet në qelizat tona dhe rajonet e trurit, trishtimi është shumë më i ashpër dhe preferon të kursejë mjetet. Megjithatë, ai e bën këtë për një arsye shumë specifike. Le ta shohim në detaje.

Është interesante të dihet se struktura që merr kontrollin në trurin tonë është amigdala, por vetëm një pjesë e saj, në veçanti ana e djathtë.

Kjo zonë e vogël e trurit shkakton këtë ndjenjë shqetësimi, dembelizmi, lodhjeje fizike… Kjo ulje e energjisë ka një qëllim specifik në vetvete: të inkurajojë introspeksionin (shikimin brenda vetes).

Trishtimi gjithashtu zvogëlon aftësinë tonë për t’i kushtuar vëmendje të gjithë stimujve të jashtëm që na rrethojnë. Kjo ndodh sepse truri përpiqet të na sinjalizojë se ka ardhur koha të ndalemi dhe të mendojmë, të reflektojmë për disa aspekte të jetës sonë.

Gjërat që duhet të mësojmë, për gjendjet e rastësishme që lidhen me trishtimin

Nuk duhet të anashkalojmë trishtimin e herëpashershëm, atë që na shoqëron për disa ditë dhe na bën të lodhur, të rraskapitur dhe të shkëputur nga realiteti ynë. Trajtimi i simptomave, zgjidhja e lodhjes sonë duke marrë vitamina ose shërimi i dhimbjeve të kokës me analgjezik nuk ka asnjë dobi nëse nuk arrijmë në rrënjën e vërtetë të problemit.

Si përfundim, siç kemi vënë re, ka disa periudha të jetës sonë gjatë të cilave lodhja është e natyrës emocionale dhe jo fizike. Nuk duhet ta konsiderojmë një çrregullim që duhet trajtuar, por një zë të brendshëm për t’u kushtuar vëmendje, një emocion i çmuar dhe i dobishëm që përbën një element thelbësor për rritjen e qenies njerëzore. / bota.al