Një ngjarje e rrallë dhe tronditëse ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik botëror pas rrëzimit tragjik të avionit të kompanisë Air India Flight AI171, nga i cili vetëm një person mbijetoi, britaniku Vishwash Kumar Ramesh, i cili ndodhej ulur në vendin 11A.

Ky detaj i ka dhënë emocion të fortë aktorit dhe këngëtarit tajlandez Ruangsak Loychusak, i cili më 11 dhjetor 1998, gjithashtu mbijetoi nga një përplasje ajrore ndërsa ndodhej në të njëjtin vend, 11A. Atë ditë, avioni Thai Airways Flight TG261 u rrëzua në një moçal në Tajlandën jugore, duke marrë jetën e 101 prej 146 pasagjerëve. Ruangsak, atëherë 20 vjeç, i mbijetoi mrekullisht aksidentit.

Tani 47 vjeç, Ruangsak reagoi në rrjetet sociale pas tragjedisë së Air India, duke shkruar në një postim në Facebook:

Mbijetues i një përplasjeje ajrore në Indi. Ai ishte ulur në të njëjtin vend si unë. 11A.

Ai tha se e kishte humbur kartën e imbarkimit të vitit 1998, por e kishte të dokumentuar në shtyp se ndodhej në vendin 11A.

Ndër vite, Ruangsak ka folur hapur për traumën dhe ndjenjat e fajit si i mbijetuar. Sipas mediave tajlandeze, ai nuk ka fluturuar për më shumë se një dekadë pas aksidentit, duke e përshkruar jetën pas ngjarjes si një “jetë të dytë”.

Pas aksidentit të së enjtes me avionin Dreamliner të Air India që u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, Ramesh, i vetmi mbijetues nga 242 persona në bord, arriti të dilte gjallë nga rrënojat, i ulur në vendin pranë daljes së emergjencës. Ai u hodh nga trupi i avionit gjatë përplasjes dhe, pavarësisht plagëve të shumta, arriti të qëndronte në këmbë dhe të hynte vetë në ambulancë.

Duke folur nga spitali për DD News, Ramesh tha:

“Për një moment mendova se po vdisja edhe unë. Por kur hapa sytë dhe kuptova që isha gjallë, u përpoqa të çlirohesha nga rripi dhe të dilja jashtë.”

Rasti i jashtëzakonshëm ka shkaktuar interes të madh global, veçanërisht për vendin 11A dhe sediljet pranë daljeve të emergjencës. Në rrjetet sociale janë shtuar postimet e qytetarëve që kërkojnë të rezervojnë pikërisht këtë vend në fluturimet e tyre të ardhshme.

Ruangsak, i tronditur nga koincidenca, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të aksidentit në Indi dhe ka përkujtuar përvojën e tij si një mrekulli e jetës që ndryshoi gjithçka.