Kievi dhe Aleanca e NATO-s do të mbajnë sot një takim ku do të diskutohet në lidhje me raketën e lëshuar pak ditë më parë nga Rusia, raketë hipersonike me rreze të mesme veprimi.

Në lidhje me takimin ka reaguar Kremlini duke kërcënuar me sulm bërthamor.

Zyrtari i lartë rus i sigurisë Dmitry Medvedev tha mëngjesin e sotëm se nëse Perëndimi furnizon Ukrainën me armë bërthamore, atëherë Moska mund ta konsiderojë si një sulm ndaj Rusisë, duke ofruar baza për një përgjigje bërthamore.

New York Times raportoi javën e kaluar se disa zyrtarë perëndimorë të paidentifikuar kishin sugjeruar që presidenti i SHBA Joe Biden mund t’i jepte Ukrainës armë bërthamore, megjithëse kishte frikë se një hap i tillë
do të kishte implikime serioze.

“Politikanët dhe gazetarët amerikanë po diskutojnë seriozisht pasojat e transferimit të armëve bërthamore në Kiev”, tha në Telegram Medvedev, i cili shërbeu si president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Medvedev tha se edhe kërcënimi i një transferimi të tillë të armëve bërthamore mund të konsiderohet si përgatitje për një luftë bërthamore kundër Rusisë.

“Transferimi aktual i armëve të tilla mund të barazohet me faktin e kryer të një sulmi ndaj vendit tonë, sipas doktrinës së përditësuar bërthamore të Rusisë”, tha ai.