Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur paraditen e sotme në SPAK, për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ajo hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme me dy gishtat lart dhe e qeshur.
Kujtojmë se GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë detyrim paraqitje, pasi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Pas paraqitjes në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje, deputetja e PL-së Monika Kryemadhi ka folur për mediat.
Kryemadhi, duke folur për çështjet e saj me drejtësinë tha se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, ndërsa shtoi se po merr zanatin e avokatit.
“Kam edhe një tjetër, rekursin për sekuestrim e shtëpisë. Do fillojmë të marrim zanatin e avokatit, me qetësi dhe durim. Lidhur me çështjet hetimore, do të ndjekim të gjithë procedurën.
Kam bërë kërkesën për t’u njohur me fashikujt, nuk më është kthyer përgjigje, i gjithë komunikimi është zyrtar dhe shkresor. Përsa u përket procedurave të tjerë, do ti ndjekim hap pas hapi”, tha deputetja.
E pyetur nëse është në një mendje me Berishën për shkrirjen e SPAK pas 11 majit, Kryemadhi tha:
“Të jemi të sinqertë, po të them se duhet shkrirë SPAK do thonë e thotë për problemet e veta që ka. Por çdo instrument ligjor që kemi votuar për ligj të barabartë, jo selektive.
Në momentin që kthehet në vegël shantazhimi, linçimi ndaj politikanëve, sidomos ndaj opozitës, ka abortuar në misionin e vetë të vendosjes së drejtësisë.
SPAK nuk është ndërtuar për të bërë luftë politike, por për të luftuar strukturat organizative, përfshirë terrorizmin”.