Një ekspert mjekoligjor ka thënë në gjykatë se Liridona Ademaj ishte vrarë nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra në vitin 2023, teksa dha dëshminë e tij të hënën në një seancë në gjyqin kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Naim Uka, i cili ka kryer autopsinë e të ndjerës Liridona Ademaj, tha në Gjykatën Themelore në Prishtinë se “gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit”.
“Në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 centimetra”, tha Uka, sipas “Betimit për Drejtësi“.
Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Për vrasjen e saj po gjykohen bashkëshorti i saj Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtim Kokalla. Murseli dhe Kokalla janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet për fajësinë.
Eksperti mjekoligjor Uka tha para gjykatës se plaga kishte formë trekëndëshe, e cila ishte shoqëruar me thyerje të shumëfishta.
“Edhe në këtë rast, kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të së ndjerës, në mënyrë që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.
Gjykimi në këtë rast nisi në fillim të këtij viti, ndërsa në seancën e kaluar dëshmoi vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, i cili tha se sjellja e Muselit menjëherë pas vrasjes e kishte tronditur familjen e tyre.
Si ishte kryer vrasja?
Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.
Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.
Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.