Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare për miratimin e saj, ka bërë jehonë dhe në mediat e huaja. E radhës që i ka dedikuar një artikull kësaj çështjeje është media franceze ‘RFI’ duke thënë se marrëveshja ka ndezur zemërim midis politikanëve në të dy vendet dhe grupeve të të drejtave të njeriut.
Artikulli shton ndër të tjera se marrëveshja është dënuar nga partitë opozitare në të dy vendet duke rezultuar në një sfidë ligjore për drejtësinë në Tiranë.
Artikulli:
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë miratoi të hënën një marrëveshje të diskutueshme të nënshkruar me Italinë për të pritur në dy qendra mbajtjeje emigrantët e shpëtuar në ujërat italiane. Por marrëveshja ka ndezur zemërim midis politikanëve në të dy vendet dhe të grupeve të të drejtave të njeriut që e përshkruajnë atë si “jo humane”. Marrëveshja është dënuar nga partitë opozitare në të dy vendet, si dhe grupet e të drejtave, duke rezultuar në një sfidë ligjore të për drejtësinë në Tiranë.
“Marrëveshja nuk dëmton integritetin territorial të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e gjykatës.
Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi deputetët italianë votuan në favor të marrëveshjes, me dhomën e ulët të parlamentit që mbështeti protokollin me 155 vota kundër, 115 kundër dhe dy abstenime. Gjatë debatit parlamentar, deputetët e opozitës akuzuan kryeministrin Giorgia Meloni për përdorimin e emigrantëve si “propagandë elektorale”, duke thënë se projekti do të kishte pak ndikim në numra dhe ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm. Tani teksti shkon në Senatin italian, ku pritet edhe miratimi i tij. Marrëveshja lejon që të krijohen dy qendra pranë portit shqiptar të Shëngjinit, ku emigrantët do të regjistroheshin për azil, si dhe një strukturë në të njëjtin rajon për të strehuar ata që presin një përgjigje për aplikimet e tyre. Dy qendrat, që do të menaxhohen nga Italia, mund të mbajnë maksimum 3,000 persona në çdo kohë, ndërsa ata presin një vendim për pretendimet e tyre. Ata vlerësuan koston në më shumë se 650 milionë euro gjatë afatit 5-vjeçar të marrëveshjes.
Opozita e djathtë shqiptare ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence të supozuar mbi marrëveshjen, duke e quajtur marrëveshjen një “veprim të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare”. OJQ-ja e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit e ka dënuar marrëveshjen si “jo humane”, ndërsa Amnesty International e përshkroi atë si “të paligjshme dhe të pazbatueshme”. Autoritetet shqiptare kanë thënë se marrëveshja është në përputhje me traktatet e mëparshme të nënshkruara me Italinë, me ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën e vendit.
“Ne nuk po shesim një copë tokë të Shqipërisë,” tha ministri i Brendshëm Taulant Balla për agjencinë franceze të lajmeve AFP gjatë një interviste muajin e kaluar.
“Ne po ia ofrojmë këtë tokë Italisë siç bëjmë zakonisht për shembull kur krijojmë një ambasadë”.
Juridiksioni brenda kampit do të ishte italian, por toka do të mbetej në duart e shqiptarëve, shtoi ai. Sipas autoriteteve shqiptare, Italia do të paguajë për ndërtimin e dy qendrave dhe infrastrukturës së nevojshme, si dhe shpenzimet në lidhje me sigurinë dhe kujdesin mjekësor të azilkërkuesve.
Meloni, lidere e partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, u zgjodh në detyrë në vitin 2022 duke premtuar se do të ndalonte anijet me emigrantë që mbërrinin nga Afrika e Veriut. Numrat janë rritur megjithatë nga rreth 105,000 zbarkim emigrantësh në 2022 në pothuajse 158,000 në 2023, tregojnë shifrat zyrtare. Të hënën, Meloni priti liderët e vendeve afrikane në një samit në të cilin ajo prezantoi të ashtuquajturin Plan Mattei. Ideja është të pozicionohet Italia si një urë kyçe midis Afrikës dhe Evropës, duke shpërndarë energjinë në veri, ndërsa shkëmben investimet në jug për marrëveshje që synojnë frenimin e migracionit. Meloni tha se plani fillimisht do të financohej në masën 5.5 miliardë euro, disa prej të cilave do të ishin kredi, me investime të fokusuara në energji, bujqësi, ujë, shëndetësi dhe arsim.