Me qindra të rinj që largohen për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar, një komunitet shqiptar është kthyer në një “qytet fantazmë”, shkruan në një reportazh Daily Express. Gazetarët e medias prestigjioze kanë qenë në Kukës, ku kanë takuar banorët e mbetur aty.
Ramizi, i cili pësoi goditje në tru, qau në kujtimin e djalit të tij që u largua nga qyteti i Kukësit për të punuar në Londër me qëllim për ta ndihmuar.
Duke u dridhur mes të qarash, ai tha për Daily Express: “I gjithë brezi i ri i Kukësit po shkon në Londër. Ata thonë se është e vend i shkëlqyer për të bërë para.” Ai shqetësohet për djalin e tij, i cili kaloi tre muaj në burgun e emigracionit dhe, kur u lirua, përfundoi duke larë makina.
Ramizit i dërgojnë para, por nuk janë shumë, në fakt janë shumë larg pasurisë që reklamojnë ata që janë kthyer nga Britania e Madhe. Shumica e makinave që qarkullojnë në rrugën kryesore të Kukësit janë Mercedes të rinj, të shtrenjtë dhe BMW me targa britanike.
Kontrasti me gjendjen e atyre që jetojnë aty nuk mund të ishte më i egër.
Në fushat përreth qytetit, gratë përdorin parmendë dore për të punuar tokën. Shtëpitë më afër maleve janë braktisur tërësisht. Ato tani strehojnë bagëti, me pjesën tjetër që po shembet dalëngadalë në tokë.
Sadije Cenaj, një banore e një fshati aty pranë, tha se paratë që fituan nipat e saj në Londër i shpëtuan jetën. Duke mbajtur foton e tyre me krenari, ajo tha: “Pa to do të kisha vdekur. Ata paguajnë faturat e mia mjekësore.”
Shtëpia e saj është e rrethuar nga prona të rindërtuara me pasuritë britanike nga djemtë e shtëpisë, por mbeten bosh për pjesën më të madhe të vitit. Pronarët kthehen për një pushim të shkurtër në gusht. Që nga viti 1990, popullsia e zonës është pothuajse përgjysmuar për shkak të migrimit.
Osmani, një tjetër banor, tha: “Është gjëja më e keqe që mund të ndodhë. Kur i gjithë brezi i ri shkon jashtë shtetit. Si mund të mbijetojmë dhe të jetojmë këtu? Nuk e di si do t’ia dalin njerëz si ne, ne jemi të vjetër.”
Osmani ka dy fëmijë në Britaninë e Madhe, një vajzë në Cardiff dhe një djalë në Londër. “80% e familjeve kanë të paktën një fëmijë në Angli”, tha ai.
Osmani beson se realitetet e jetës në Mbretërinë e Bashkuar nuk përputhen me mitet që po shesin të rinjtë në Shqipërinë rurale. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë në Angli, djali i tij mezi ka qenë në gjendje të përmirësojë jetën e babait të tij.
“Djali im u përpoq të më ndihmonte dhe më dërgoi disa para xhepi, por jo shumë siç thonë mediat.”