Shokët e fëmijërisë dhe të shkollës që nuk i shoh më prej vitesh në rrugët e Kukësit i hasa thuajse të gjithë në rrugët e Londrës. Kjo është fjalia që i vjen spontanisht kujtdo që shkon nga Kukësi dhe viziton Londrën. Ky në fakt është realiteti i hidhur që ka prodhuar emigracioni i madh i të rinjve kuksianë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Shumica e tyre janë integruar plotësisht në shoqërinë britanike, duke kontribuuar edhe me taksa tek autoritete britanike. Disa prej tyre njohuritë dhe profesionet që kishin në Kukës i vunë në zbatim në Londër. Të tjerë mësuan një zanat dhe sot ja dalin jo vetëm të mbajnë familjet, por të punësojnë edhe persona të tjerë në sipërmarrjet e tyre.

“Jam nga Kukësi, jam shkolluar në  Tiranë, kam mbaruar inxhinierinë e ndërtimit në Tiranë. Prej 3 vitesh kam ardhur në Angli. Punoj si inxhinier ndërtimi në një kompani lider në Britani. Miqtë e shokët që jam rrit në Kukës i gjeta këtu”, tha një emigrant.

“Kam një kompani time nuk është se jam shumë i suksesshëm, por jam i suksesshëm në rrugën time. Ndjehem krenar që paguaj taksat dhe kam kompaninë time” u shpreh emigranti kuksian.

“Kam ardhur në 24 maj 1998 në Londër dhe kur erdha këtu erdha për një jetë më të mirë”, vijoi një tjetër emigrant shqiptar.

Shumica kanë krijuar familjet e tyre dhe kanë obligimin që fëmijëve tu ,mësojnë shkrimin dhe këndimin e  gjuhës shqipe.

“Preferoj të flas shqip dhe fëmijët e mi unë ju flas shqip dhe të 3 fëmijët e flasin shqipen”, theksoi një tjetër.

Por pavarësisht se kanë arritur një stabilitet dhe garanci ekonomike, të gjithë pa përjashtim mendjen e kanë të vendlindja dhe presin nga muaji ne muaj dhe viti në vit nëse po ndryshon diçka sado e vogël që t’u krijojë mundësinë atyre të rikthehen.

“Kam dy çuna që më kanë lindur në Angli, por kur kam ardhur nuk e mendova që do bëhesha familjar dhe do të shtoja popullsinë e Anglisë, por dua të shtoj popullsinë e Shqipërisë. Shkoj shpesh në Shqipëri, por nuk e gjej asnjëherë atë që mendoj por shpresoj. Kurbetin ta lavdrofshin e në të mos qofshin kanë thënë të moçmit tanë”, u shpreh një tjetër emigrant.

Me shpresën se koha e pritjes për t’u rikthyer të jetë sa më e shkurtër, emigrantët urojnë për një Kukës më të mirë.