Të gjithë e njohin si Dr. Skerdi i KEIT, por vetëm miqtë e tij e dinë se si ka nisur raporti i tij me sipërmarrjen.

Historia e mjekut Skerdi Faria është ndoshta e ngjashme me atë të shumë shqiptarëve, që lanë emigrimin dhe vendosën të kthehen për të investuar në vendin e tyre. Por për herë të parë ai ka vendosur të tregojë gjithçka që nga fillimet e tij, që me sa duket nuk kanë qenë aspak të lehta.

Në një rrëfim për emisionin “Opinion” dhe gazetarin Blendi Fevziu ai ka kujtuar kohën kur ishte student në Fakultetin e Mjekësisë dhe për nevoja ekonomike është detyruar që pasditeve të shiste vaj makinash në rrugën shumë pranë vendit ku sot ndodhet spitali KEIT.

“Nuk më dilnin lekët për të ngrënë”, tregon ndër të tjera Faria, ndërsa kujtoi gjithashtu largimin nga puna në ato vite, të dy prindërve të tij mësues.

“Biznesi i parë në thonjëza ishte shitja e verës në Pazarin e Ri. Pastaj tek bordurat e Gjykatës së Lartë kam shitur lule plastike. Edhe ky biznes vajti keq. Pastaj me vajin e makinës, por kur u hap kupola e Tiranës na falimentoi. Unë ato para që kisha fituar mora me qera një dyqan të vogël fruta- perimesh të kohës së komunizmit, bëra ca punime brenda dhe krijova një bar- restorant të vogël. Çohesha në 5 të mëngjesit që hapnim restorantin, gatuaja paçe, pilaf, tasqebap, në 8 shkoja në fakultet dhe vija era mish e era qepë. Pas leksioneve me një biçikeletë e më vonë mora një motor të vogël, bëja furnizimet tek Pazari i Ri dhe pasdite punoja aty në lokal. Në darkë studioja dhe të nesërmen e njëjta gjë”, tregoi mjeku gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu.

Ai rrëfeu më pas, largimin drejt Italisë, specializimet atje dhe vendimin për t’u kthyer në vitin 2011 me hapjen e klinikës KEIT.

Sot spital i vetëm ditor i licencuar në vend mbi kirurgjinë estetike, KEIT numëron në muaj mbi 300 operacione estetike të kryera dhe më shumë se 170 persona të punësuar.
Kush është Skerdi Faria?

Bir i dy prindërve mësues, ai përfundoi gjimnazin “Dervish Hekali” në Ballsh me të gjitha rezultatet 10 dhe medalje ari.

Kreu më pas studimet e larta për mjekësi në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1995 me mesatare 9.5. Pasi punoi për 1 vit në Institutin e Shëndetit Publik në kryeqytet, në vitin 1997 u transferua në Romë ku punoi fillimisht në “Istituto Superiore di Sanità” dhe 1 vit më pas nisi specializimin në “Higjienë e Mjekësi Preventive”.

Me tej, kreu njohjen e diplomës në La Sapienza dhe merr laurea në Mjekësi e Kirurgji.

Mbrojti doktoratën në universitetin e Romës “La Sapienza” me temën e një studimi shkencor mbi infeksionet spitalore, si bashkëpunim i “Istituto Superiore di Sanità” dhe QSUT.

Ne vitin 2009 përfundoi specializimin për Anestezi e Reanimacion në Universitetin e Romës, “Tor Vergata”.

Te dy specializimet dhe doktoratën i ka përmbyllur me lode, vlerësimi maksimal në Itali.