Departamenti i Shtetit ka marr në kontroll programet që më parë drejtoheshin nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në një lëvizje që zyrtarët thonë se do të ristrukturojë ndihmën e huaj amerikane dhe do ta orientojë atë drejt interesave kombëtare.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi të martën në një postim në Substack se USAID, e cila mbikqyrte ndihmën e huaj, ndihmën në raste katastrofash dhe programet e zhvillimit ndërkombëtar, nuk do të ofrojë më asistencë për vendet e tjera.

“Nga data 1 korrik, USAID zyrtarisht do të ndalojë realizimin e ndihmës së huaj,” shkroi Rubio. “Programet e ndihmës së huaj që përputhen me politikat e administratës dhe që avancojnë interesat amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të zbatohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet.”

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili informoi gazetarët të martën, tha se “politika e ndihmës së huaj amerikane do të synojë të jetë e lidhur në mënyrë diplomatike me agjendën e politikës së jashtme të administratës Trump dhe partnerëve të SHBA-së”.

“Pasi të kalojmë këtë tranzicion dhe programet të kalojnë këtu, mendoj se muajt në vijim do të na tregojnë se ku e shohim vizionin tonë për të ardhmen,” tha zyrtari. “Ne nuk parashikojmë ndonjë ndërprerje operative.”

Agjencia e ndihmës së huaj ishte ndër agjencitë e para që u preken nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, i drejtuar më parë nga Elon Musk, në përpjekjen për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale.

Administrata Trump kërkoi shkatërrimin e USAID-it, duke ndërprerë mijëra kontrata dhe duke dërguar punonjësit në pushim. Në një deklaratë të shkurtër në shkurt, Departamenti i Shtetit tha se “pjesë të rëndësishme të financimeve të USAID nuk përputhen me interesat kryesore kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Mbyllja e USAID ndodh ndërkohë që një studim i publikuar të hënën në revistën The Lancet gjeti se prerjet në USAID mund të shkaktojnë më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030, shkruan ABCNews.

Duke përdorur modele matematikore, autorët vlerësuan ndikimin e financimit të USAID në vdekshmërinë nga 2001 deri në 2021. Më pas, modeli u përdor për të parashikuar efektet deri në pesë vjet nga tani.

Studimi gjeti se mbi 91 milionë vdekje janë parandaluar falë financimeve të USAID në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme gjatë periudhës 21-vjeçare, përfshirë një reduktim prej 65% të vdekshmërisë nga HIV/AIDS dhe 51% nga malarja.

Modelet parashikuese jo vetëm që evidentuan miliona vdekje shtesë për shkak të prerjeve të thella, por edhe që një e treta e këtyre vdekjeve do të jenë tek fëmijët nën 5 vjeç.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se studimet e tilla “keqkuptojnë” vizionin e ri të administratës për ndihmën e huaj dhe se raportimet për ndikime jetësore nuk përputhen me atë që po shohin në terren.

“Mund të rikthehesh dhe të debatosh për çdo vendim të vogël. Kjo nuk është fokusi ynë,” tha zyrtari. “Nuk është fokus i sekretarit. Ne jemi të entuziazmuar për agjendën ‘Amerika në radhë të parë’ në ndihmën e huaj dhe për impaktin që mund të kemi në të ardhmen.”

Zyrtari tha se strategjia e re do të kërkojë, për shembull, që partnerët të marrin përsipër më shumë punë parandaluese për pacientët me infeksione HIV dhe të reduktojnë varësinë nga programet e financuara nga SHBA për kujdesin parandalues shëndetësor.

Ai theksoi se deri tani, deri në 90% e përfituesve direkt marrin medikamentet e tyre nën PEPFAR. Do të ketë më shumë investime për të ndalur transmetimin e HIV nga nëna tek fëmija, tha zyrtari.

“Administrata ka si objektiv të përfundojë transmetimin nga nëna tek fëmija para se Presidenti Trump të përfundojë mandatin, dhe mendojmë se do ta arrijmë këtë dhe do të investojmë më shumë në këtë fushë specifike,” përfundoi ai.