Në mbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp ka shprehur falënderim për kancelarin Olaf Scholz dhe Presidenten Ursula von der Leyen.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo ditë u mbyll me diskutime të frytshme, ndërsa shtoi se Olaf Scholz dhe Presidenten Ursula von der Leyen janë një “fuqi e qetë mbresëlënëse”, që kanë shtyrë BE dhe Ballkanin Perëndimorë për të ardhur më pranë njëri-tjetrit.

“Samiti u mbyll me diskutime të frytshme, me shkëmbime të hapura dhe ndjenjë të vërtetë miqësie. Nuk do gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin, i cili qe i hapur për ta sjellë këtë proces jashtë kufijve të BE. Po ashtu për të falënderuar presidenten.

Ky është një moment i vështirë për këdo, për shkak të krizave të një pas njëshme që kanë goditur të gjithë ne. Këta dy gjermanë krahë meje kanë orare e afate të përcaktuara, kështu që nuk dua të marr nga koha e tyre. Pranoni mirënjohjen time për gjithçka po bëni për ne dhe që jeni një fuqi e qetë mbresëlënëse që këmbëngulini për të shtyrë BE dhe Ballkanin për të ardhur më pranë njëri-tjetrit”, tha Rama.