Procesi i votimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës ka përfunduar rreth orës 19:00. Ajo që renë në sy është fakti se ka pasur një bojkotim, total nga ana e serbëve, gjë që ka sjellë një pjesëmarrje minimale.

Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote 45,095 persona, nga të cilët 18,118 në Mitrovicën veriore, 6,998 qytetarë në Zveçan, 6.661 në Zubin Potok si dhe 13.318 qytetarë në Leposaviq. Procesi zgjedhor ka vijuar pa problematika dhe pa incidente, ndërkohë që forcat policore dhe ato të KFOR-it kanë qenë prezent për gjatë gjithë procesit për të shmangur incidentet.

Ndërkohë nga raportimet e orës 15:00, të KQZ-së pasqyrohej dhe pjesëmarrja e ulët, ku në Leposaviç ka pasur 110 votues, (0.83%). Në Zubin Potok kanë votuar 240 votues, (3.6%.) Në Zveçan kanë votuar 145 votues, (2.07%) dhe në Mitrovicën e Veriut 597 votues (3.3%).

Kryetar i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media pas mbylljes së procesit njoftoi se në këto zgjedhje votuan 1567 qytetarë. Ndërkohë konfirmoi se ka nisur numërimi i votave dhe se rezultatet pritet të dalin pas orës 20:00.

Kujtojmë se bojkoti masiv erdhi si rezultat i tërheqjes së partisë kryesore të serbëve në Kosovë, “Lista Serbe” dhe thirrjeve të Beogradit drejtuar serbëve për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë as nga ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për tu regjistruar në proces.

“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Ndërkohë ditën e sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri të votojnë, teksa kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Ndërsa nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç është shprehur shumë e pakënaqur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke sulmuar fuqitë botërore që përkrahën mbajtjen e tyre. “Mbajeni mend këtë ditë. Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë fotot që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë dhe Metohi të mbështetura nga BE-ja dhe Kuinti”, shkroi ajo në një postim në Twittter, ku kishte etiketuar Ambasadën Amerikane, Bashkimin Europian e OSBE-në, duke u shprehur e mllefosur për mbështetjen që i dhanë Republikës së Kosovës.