Mbahet këtë të hënë seanca plenare në Kuvend. Seanca pritet të nisë në orën 13:00, dhe në fokus të diskutimeve do të jetë projektligji për performancën energjitike të ndërtesave.

Javën që shkoi nuk u zhvillua seancë. Shtyrja e seancës u bë shkak për debat në Konferencën e Kryetarëve javën e kaluar pasi kryeparlamentarja mori pjesë Samitin e Europës Juglindore në Odesa të Ukrainës.

Megjithatë, edhe pse pa një zhvillim të Kuvendit, java ishte e ngjeshur me ngjarje të shumta politike, kryesisht me seancat e shqyrtimit të ankimimeve në KAS sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

Legjislatura do të përfundojë më 8 korrik, ndërsa në shtator do të nisë Kuvendi i ri me deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 11 majit.

Partia Socialiste pritet të ketë 83 deputetë, shumica prej të cilëve do të jenë për herë të parë në parlament. Partia Demokratike do të përfaqësohet nga 42 deputetë, pas humbjes së thellë, ku 8 vende do t’i kenë aleatët e saj.

Nga ana tjetër, në Kuvendin e ri do të jenë edhe 3 deputetë nga Partia Socialdemokrate, 2 deputetë nga Partia Mundësia, dhe për herë të parë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.