Orëndreqes u bë nga rastësia. Dhionis Barrjaba nga Saranda ishte gjimnazist kur një i afërmi i tij nisi t’i mësonte pak nga zanati.
“Unë isha në gjimnaz, dhe kisha njeriun tim aty. Rrija me të, por mësoja gjëra për orët e tavolinës. Kur mbarova shkollën e mesme, u futa në zanat”, u shpreh ai për ABC News.
Orën e parë e hapi dhe e rregulloi kur ishte vetëm 20 vjeç.
“Mbarova gjimanazin, 20 vjeç vajta në Fier dhe mbarova kursin”, tha Barrjaba.
Tregon se zanati i tij kërkon shumë durim. Mungesa e vëmendjes qoftë dhe nje çast mund t’i hedhë poshtë punën disaorëshe.
Përveç durimit, lipset edhe dashuri.
Në katër dekada, kanë qenë të shumtë klientët që u kanë besuar aftësive të tij.
Aq shumë njerëz ka takuar e orë ka rregulluar sa pa frikë, thotë se mund ta përcaktojë personalitetin e një personi nga ora që mban në dorë.
“Nga ora që mban e njoh se kush person është”, theksoi ai.
Aftësitë e Dhionisit nuk i njohin vetëm qytetataret e Sarandës. Mes atyre që shkelin në dyqanin e tij, janë edhe të huajt.
Keto vite ka kaluar nder duar qindra ore nga ato të lirat e deri tek ato shekulloret.
Për këto të fundit, përkushtimi është edhe më i madh për shkak të vlerave që mbartin.
Zanatin po ua trashëgon fëmijëve ndërsa vetë thotë se do ta ushtrojë derisa të ketë jetë.