Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) me anë të një njoftimi zyrtar ka sqaruar për herë parë dhe rolin e dy gazetarëve të kronikës se zezë, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilëve u është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’ për lidhjet e dyshuara me bandën e drejtuar nga Suel Çela në Elbasan.

Në njoftimin e SPAK, specifikohet se kreu i bandës, Suel Çela, i njohur ndryshe dhe si Marjus Lulaj ka synuar të manipulojë opinionin publike duke krijuar perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën.

SPAK sqaron në njoftimin zyrtar se  dy gazetarët kanë bashkëpunuar me Suel Çelën kundrejt përfitimeve monetare dhe kanë mbajtur qëndrime në media dhe kanë publikuar artikujt që sipas Prokurorëve të Posaçme kanë manipuluar opinionin publik

“Marjus Lulaj (Suel Çela) ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njejten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në njoftimin e SPAK zbërthehen dhe detaje se si organizata kriminale e Suel Çelës kishte korruptuar dy funksionarë të lartë, ish-gjyqtaren Patime Fetahu dhe funksionarin e policisë së shtetit Dedan Gjoni.

“Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (Dedan GJoni) dhe të sistemit gjyqësor (Pajtime Fetau.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çela. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre”, thuhet në njoftimin e  SPAK.