Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “Global Gateway Forum 2023”, i cili po zhvillohet në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, në një debat të zgjeruar mbi çështjet në lidhje me investimet globale në infrastrukturë, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet sektori publik dhe privat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë pjesë e pandarë e programeve europiane.

“Kjo është martesa më e vështirë, por që ja vlen. Unë kam pasur disa dështime në martesë, por pasi gjeta atë të duhurën e duke qenë i lumtur me të, unë besoj që kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë dhe të tjerët kur të martohen me BE.

Dua që t’ju lë duke ju thënë një fakt të vogël sepse dua që ta dini që e gjithë buzëqeshja ime, e gjithë dashuria ime, gjithçkaja ime për Europën dhe Bashkimin Europian është pa kushte, por nuk është e pa mend. Vetëm mendoni, që ne rrethohemi nga kufijtë e BE dhe fqinjët tanë që janë BE marrin 4517 euro për frymë nga vetë Bashkimi Europian.

Ajo çfarë marrim ne në E-në, pa B-në është vetëm 138 euro për frymë. Është një hendek shumë i madh që ne e mbushim me dashuri, që e mbushim me shpresë, që e mbushim me ambicie, që e mbushim me ide shumë të qartë që nuk ka asgjë më të mirë që mund të lëmë pas për fëmijët tanë, por shpresoj fort që ajo çfarë Presidentja e Komisionit dhe ky Komision po punojnë fort për të bërë, do t’ia dalin me sukses sepse në fund të fundit, fëmijët tanë nuk duhet të trashëgojnë vetëm testamentin e dashurisë, por edhe provën që kjo martesë është e vetmja që ia vlen të kesh”, tha ndër të tjera Rama.