NATO do të punojë me këdo që fiton zgjedhjet në SHBA dhe do të bëjë gjithçka për të qëndruar e bashkuar, u zotua sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

“Ne do të punojmë me Kamala Harris, do të punojmë me Donald Trump dhe do të sigurojmë që Aleanca të mbetet e bashkuar”, tha Rutte gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Nuk kam asnjë dyshim, sepse kjo është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”, theksoi kreu i NATO-s.

Sipas tij, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s. “Ata e dinë se nëse Putini ka sukses në Ukrainë, atëherë një Rusi e guximshme do të jetë në krahun tonë lindor dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse ata janë të përfshirë në Ukrainë, prandaj janë të përfshirë në NATO,” shtoi ai.

Kur mori detyrën më 1 tetor, Rutte – i cili kishte qenë kryeministër i Holandës për 14 vjet – tha se nuk ishte i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.

“Unë i njoh shumë mirë të dy kandidatët dhe kam punuar me Donald Trump për katër vjet,” tha ai./