Ilir Çapuni, nënkryetar i Forcës së Re Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Ulqinit tha në një intervistë për Euronews Albania se koncepti i Serbisë së Madhe dhe tendencat e ndikimit serb në Mal të Zi janë aktuale prej shumë vitesh në Mal të Zi.
Ai u shpreh se presidenti i ri Milatoviç është ende eksponent i disa qarqeve me orientim serb, por deklaratat e tij ditën e tretë të zgjedhjes në këtë post lënë hapësirë për optimizëm.
“Kjo Serbia e Madhe dhe tendencat nga Serbia kanë qenë aktuale gjithmonë, tani në një farë forme është legalizuar ky status quo ose ndikimi i kishës ortodokse serbe. Ka qenë prej 100 vjetësh dhe nuk është larguar ndonjëherë. Milatoviç si lider është ende eksponent i disa qarqeve që kanë orientim proserb. Por ai që në ditën e parë ka thënë; që njohja e Kosovës është fakt i kryer, që Mali i Zi nuk del nga NATO dhe që do të ketë vizitë në Bruksel, i ka qetësuar disi shpirtrat”, tha ai.