Plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën po lëviz në drejtimin e duhur, por ka aspekte që duhen përmirësuar për ta bërë atë të pranueshëm për Ukrainën dhe Evropën, tha të martën presidenti francez Emmanuel Macron për stacionin radiofonik RTL.
“Ne duam paqe, por nuk duam një paqe që do të përbënte kapitullim”, theksoi ai, duke shtuar se vetëm ukrainasit mund të vendosin se çfarë lëshimesh territoriale janë të gatshëm të bëjnë.
“Ajo që u vu në tryezë na jep një ide se çfarë do të ishte e pranueshme për rusët. A do të thotë kjo se është gjithashtu ajo që duhet të jetë e pranueshme për ukrainasit dhe evropianët? Përgjigja është jo”, theksoi ai.
Vija e parë e mbrojtjes së Ukrainës në rast paqeje me Rusinë do të jetë ringjallja e ushtrisë së saj dhe nuk mund të ketë kufizime për këtë, vazhdoi Macron.
“Evropianët janë të vetmit që kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre, sepse kjo është pjesë e planit, për atë që do të bëjmë me asetet e ngrira ruse, të cilat mbahen nga evropianët”, vuri në dukje ai, duke folur për RTL.
Presidenti francez, i cili do të marrë pjesë sot (25/11) pasdite në një takim të ri me videokonferencë të koalicionit të mbështetësve të Ukrainës, kërkoi gjithashtu të mos dukej “i dobët” përballë “kërcënimit” të Rusisë, e cila ka “një qëndrim shumë më agresiv”.
“Atë ditë do t’i dërgoni një mesazh dobësie Rusisë, e cila thellë-thellë për 10 vjet ka bërë një zgjedhje strategjike për t’u bërë përsëri një fuqi perandorake, domethënë për të përparuar kudo”, vazhdoi ai.
I pyetur nëse ka ndërmend të shkojë në Uashington për të ndihmuar në negociimin e një marrëveshjeje më të mirë, Macron u përgjigj se nuk planifikon ta bëjë këtë në këtë kohë.
Presidenti francez vuri në dukje gjithashtu, duke iu referuar përsëri Rusisë, se vetëm Moska pengon paqen në Ukrainë, sipas një fragmenti të deklaratave të tij të regjistruara të postuara më parë në X nga stacioni radiofonik francez RTL.
“E vetmja vijë e kuqe që kemi pasur për tre vjet quhet Rusia”, tha ai.
