Pas pyllit bregdetar të Butrintit, Ksamilit, Kakomesë, Himarës, Karaburunit, Nartës e Parkut liqenor të Drilonit për t’i betonizuar me vila e hotele, kryeministri Edi Rama i është vërsulur dhe pyllit park e plazhit të Semanit në Fier, për t’i dhuruar një sipërfaqe të madhe Luan Bregasit.
Sipas informacionit, me urdhër të Edi Ramës dhe gjoja propozim të ministres së Turizëm-Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministria e Financa-Ekonomisë po përgatit heqjen nga fondi pasuri publike të 90 hektarë pyll, tokë e plazh në “zemër” të zonës së Semanit.
Kjo sipërfaqe do t’i dhurohet Luan Bregasi, i cili është sekser i Edi Ramës dhe ortak i Irfan Hysebelliut, por njëherazi Zv/kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetar i “Biznes Albania”, Kryetar i Dhomës dhe shkollës profesionale “Zejtaria” në ortakëri me Ministrinë e Financave.
Kjo sipërfaqe 900 mijë m2, Luan Bregasit do t’i jepet me një projekt për resort e fermë agro-blegtorale, kopje e projektit të oligarkut rus Oleg Deripaska, të cilit Edi Rama e Gjiknuri i kanë dhuruar 800 hektarë tokë në bregdetin e Divjakës, por ai ka filluar të ndërtojë vila e pallate me apartamente plazhi.
Edhe Luan Bregasi, mund të ngrejë një resort e mini-fermë agro-blegtoralë pranë lagunave Godulla, Kërnalli e Hauzi në Seman, ndërsa në bregdet, bashkë me “Irfanin e tmerrshëm”, do ndërtojë vila e pallate si në Lalz.
Brenda muajit mars 2023, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, do paraqesë dosjen në Komitetin e Investimeve Strategjike, ku kryetar është kryeministri Edi Rama, ndërsa anëtar, përveç Belinda Ballukut është edhe Luan Bregasi që do përlajë 90 hektarë pyll, tokë e plazh në Seman.
Bashkia e Fierit ka kërkuar disa herë në qeveri, që vija bregdetare dhe pylli i Semanit me gjatësi 3.5 km e 1.8 km gjerësi, të zhvillohet si zonë turistike natyrore e plazh publik, por Kryeministri e ka përfshirë në zonë turistike strategjike me ndërtime betoni.
Një prej atyre që do përlajnë sipërfaqe të madhe është Luan Bregasi, i cili sipas informacionit, ka aplikuar ta marrë falas me kontratë si Investitor Strategjik, bërë në emër të firmës “EB Construction Sh.p.k”, me pronar djalin e tij Ilir Bregasi.
Me skenar mashtrimi si gjoja firmë rivale në garë, është paraqitur firma “FI Group Sh.p.k”, me ortak 50% djalin e Luan Bregasit dhe 50% djalin e Irfan Hysenbelliut, ndërsa zhvillues të sipërfaqes 90 ha, do jenë firma “SARA EL” dhe “Palace Hotel&SPA” e Luan Bregasit.
Investimi për këtë projekt vilash e pallatesh të servirur si gjoja resort e fermë agro-blegtorale, do jetë me vlerë 85 milionë Euro, që SPAK duhet të hetojë se ku do t’i gjejë Luani Bregasi dhe nën maskën e tij “Irfani i Tmerrshëm”, i mbyturi në borxhe bankare e fajde te trafikantët./Pamfleti